Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Hostage”, duke vënë në pranga tre persona që kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng një shtetas nga Kosova. Të arrestuarit janë Julian Zogaj, 25 vjeç, Orest Çorapaj, 18 vjeç dhe Vilson Agaj, 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Sipas hetimeve, tre të dyshuarit kishin rrëmbyer më 28 nëntor 2025 shtetasin F. Xh., 39 vjeç, nga Mitrovica, duke e mbyllur në një apartament në rrugën “Janaq Kilica” të lagjes “Osman Haxhiu”. Viktima ishte dhunuar fizikisht dhe i ishte kërkuar një shumë prej 70 000 eurosh në këmbim të lirimit, shkruan A2.
Pas denoncimit nga familjarët, strukturat e Krimeve të Rënda dhe Mbështetjes Operacionale në DVP Vlorë kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke liruar pengun dhe arrestuar autorët në flagrancë. I rrëmbyeri është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në banesën ku mbahej pengu, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, si dhe një radio komunikimi të ngjashme me ato që përdor Policia.



