Ballina Politika “Nuk do të ndalemi deri në largimin e Ramës”/ Cara thirrje për...

“Nuk do të ndalemi deri në largimin e Ramës”/ Cara thirrje për protestën: Korrupsioni, etiketa e kësaj qeverie

39
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, në një intervistë televizive, deklaroi se protestat e opozitës do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ai theksoi se protesta e 10 shkurtit, edhe pse e organizuar nga PD, duhet parë si protestë qytetare për problemet ekonomike, shpopullimin, rënien e produktivitetit dhe vështirësitë në shëndetësi e arsim.

Cara akuzoi qeverinë për korrupsion dhe se ka ndërhyrje ndaj drejtësisë, duke përmendur rastin e zyrtarëve të lartë që po përballen me hetime. Sipas tij, vendi ndodhet në regres dhe kërkon ndryshim për t’u rikthyer normaliteti.

Igli Cara:

Në fakt kemi bërë disa protesta dhe kuptohet që do të vazhdojmë përsëri. Nuk do të ndalin protestat deri në largimin e këtij kryeministri bashkë me shpurën e tij. Në fakt duhet kuptuar që pavarësisht se organizohet nga Partia Demokratike, dhe është normale se opozita një nga gjërat që ka për detyrë të bëjë është pikërisht që të organizojë protesta, por duhet kuptuar mbi të gjitha si një protestë qytetare, pikërisht për problemet dhe për të zgjidhur ato halle që tanimë i kanë të gjithë shqiptarët. Mos të harrojmë që kemi probleme të rënda.

Mos të harrojmë që ne kemi një Shqipëri tanimë të zvogëluar, ku shpopullimi është kryefjalë, kudo që të shkosh në Shqipëri kjo ndjehet. Mos harrojmë që kemi një ekonomi të rënduar dhe kjo nuk është e thënë thjesht se e thotë opozita, po tanimë çdo qytetar e ndjen në xhepat e tij.

Kemi një ekonomi e cila po shkon në regres, këtë e thonë dhe raportet, biles e thotë dhe INSTAT-i, e thotë dhe vetë qeveria ku treguesit kryesorë të ekonomisë janë në rënie. Mos harrojmë që për herë të parë pas vitit ’90, ekonomia shqiptare rritjen ekonomike e ka pikërisht nga buxheti i shtetit. Pra pikërisht nga administrata, po ama nuk kemi produktivitet.

Produktiviteti në Shqipëri ka rënie, eksportet kanë rënie pa diskutim, prodhimi bujqësor e me radhë. Pra, të gjitha këto duhen konceptuar mbi të gjitha si një protestë e cila vjen në vazhdën e asaj që e themi gjithmonë, që të shpëtojmë pikërisht familjet tona pikë së pari. Çdo qytetar nesër që duhet të marrë pjesë në protestë, që e ftojmë, duhet të mendojë të gjitha, i vjen për shtat apo jo familjes së tij.

Unë nuk besoj që ka familje shqiptare sot që ndjehet mirë, pikërisht për ato arsye që thashë, po për një shëndetësi e cila nuk funksionon. Pse jo, për të rinjtë që largohen, për fëmijët që nuk kanë të ardhmen, për një arsim që sipas të gjithë treguesve, ëh është në regres. Pra të gjitha këto duhen parë thjesht dhe vetëm për familjen. Në qoftë se dikush mendon që po vjen në protestë, po bëhet kjo thirrje për të shpëtuar Partinë Demokratike, apo dhe liderët e saj, e mendon gabim.

Ne e kemi për detyrë që të vazhdojmë protestën dhe nuk e bëjmë thjesht për, për Partinë Demokratike. Bëhet për të ndryshuar, për të kthyer normalitetin. Tani, të gjithë shqiptarët po e shohin se çfarë ka bërë kjo qeveri në këto 12 vite. Kur kryefjala e kësaj qeverie, etiketa mund të quhet qeveria e korruptuar, qeveri korrupsioni. Dhe tanimë kemi dhe fakte tronditëse, ku zëvendëskryeministra, apo ministra, figura të rëndësishme të Partisë Socialiste, në këto 12 vite ëh janë kapur në korrupsion. Janë dënuar, disa të tjerë janë në radhë dhe presin që të gjykohen nga gjykata e posaçme.

Dhe kemi rastin e zonjës Belinda Balluku, ose do të thoja një person i cili ndoshta është rasti i parë që tregoi që Rama, kur vjen puna tek interesat që i afrohen pikërisht atij, ai ndërhyn fort. Ka ndërhyrë fort, siç keni parë dhe dje në deklaratën e tij, do të thoja ishte, ishte një tregues shumë i fortë. Nuk e prisja fakt kurrë në asnjë moment që kryeministri Rama të, të mbronte kaq shumë një bashkëpunëtore të tij në këtë moment ku faktet janë sheshit.

Biles ka vendosur, deklaroi që mund të ndërhyjë dhe në legjislacion. Ky është një presion i organizuar kundër drejtësisë. Pra, nëse tanimë e dimë të gjithë që kushtetuta është, është e shprehur qartë që pushtetet janë të ndara.

Edhe ta mendosh është gabim, aq më tepër dhe ta shprehësh. Si ka mundësi që një kryeministri i një vendi që aderon të bëhet vend i BE-së, të thotë këtë fjali? Pra të dali kundër drejtësisë në këtë mënyrë. Është e palogjikshme. Unë mendoj që sot ai deklaroi dështimin e tij. Ai pranoi sot se ato çfarë ka thënë deri dje për drejtësinë, i ka pasur të tëra fasadë.

Se në momentin që drejtësia po i afrohet, ai atëherë po bën një mburojë. Ai po përdor grupin parlamentar pikërisht për të ndaluar dhe heqjen e e mandatit. Mos harrojmë që sot, me mendimin tim dhe besoj dhe çdo qytetar, çdo shqiptar do të thonte që Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet urgjentisht, sepse nuk e kuptoj çfarë presin më që të mblidhet Këshilli i Mandateve.

Do të presin të zbatohet afati ligjor të jemi më 16 mars. Sot, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese , Këshilli i Mandateve duhet të ishte mbledhur për të hequr mandatin. Dhe flet për drejtësinë në fakt Rama, që në këto vite ë të gjithë duhet të kujtojnë që ishte i vetmi kryeministër që e la rreth tre vite pa Gjykatë Kushtetuese.

Është njeriu që i bëri të pamundshme qytetarët të mos marrin zgjidhje duke e çuar stokun e dosjeve gjyqësoreve nga rreth 30.000 kur ka ardhur në pushtet Rama, tani është rreth 178.000 stoku i dosjeve. Njeriu që çoi mesataren e marrjeve të vendimeve në një gjyqësor nga një vit që ishte dikur, tani është duhet 15 vite të presësh të marrësh një vendim gjyqësor. Largoi shërbimin e gjykatave të apelit dhe e centralizoi në Tiranë, duke e bërë pothuajse të pamundur nga rrethet që të vazhdojnë gjykimet në apel sepse krijon dhe kosto pa diskutim. Njeriu që e ktheu shkollën e magjistraturës në një sekser-hane dhe kjo tanimë është dhe fakt publik.

Njeriu që krijoi një shtet normativ mbi shtetin ligjor. Çfarë dua të them? Ai mendon që duke bërë akte normative me parlament, duke ndërhyrë me me parlamentin e tij, ai i imponohet pikërisht ligjorit. Duhet të mendojmë që ky është njeriu i cili edhe për Kushtetutën nuk pyet. Mos harrojmë që po ky njeri, në qoftë se ju kujtohet, kur ligji i portit ishte në Gjykatë Kushtetuese, ndërhyri fort dhe pavarësisht se ishte e qartë neni gjashtë që asnjë aset publik mos të jepej pa konkurim, pikërisht çfarë bëri? Ja dha mikut të tij Alabar, pikërisht portin e Durrësit.

Të gjitha këto, ai ka treguar në këtë që ka dashur ta përdorë drejtësinë pikërisht për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë, por kurrë në asnjë rast nuk mendonte që vjen një moment që çdo gjë të kthehet. Sepse po vjen një moment që pavarësisht të gjithave, drejtësia do ta thotë fjalën e saj. E vërteta do të dali në dritë.

Unë mendoj që Rama ka bërë një lojë të pistë me drejtësinë. Ato raste kur Rama donte të largonte dikë nga qeveria, shpeshherë ndërhynte dhe bënte pikërisht atë që bënte.