Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka komentuar në Kuvend debatin për reformën administrativo-territoriale dhe propozimin e opozitës për krijimin e 100 bashkive.
Duke iu përgjigjur diskutimeve për numrin e njësive vendore, Manja e cilësoi si “lojë kungulleshkash” debatin për 46 apo 100 bashki, ndërsa deklaroi se edhe numri 46 është, sipas tij, i lartë.
“Dikush tha pse 46 bashki e jo 100? Lojë kungulleshkash. Personalisht mendoj se 46 bashki janë shumë, por ky është mendimi im personal. Ne duhet të kemi një numër më të vogël bashkish, duke ruajtur standardin e bashkive minoritare që na bën krenarë si shtet”, u shpreh Manja.
Ai i bëri gjithashtu thirrje opozitës që të përfshihet në fazën e dytë të reformës, duke e lidhur këtë me punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
“Faza e dytë e reformës është t’ju ftoj të bashkoheni edhe ju këtë radhë, të shpëtoni atë që nuk e bëtë dot me Komisionin e Posaçëm që e latë në rrugë, latë qytetarët në fakt në rrugë”, deklaroi Manja nga foltorja e Kuvendit.







