Ballina Politika Berisha: Rama dhe Lubia i dërguan mesazh Europës se integrimin e ndërpresim,...

Berisha: Rama dhe Lubia i dërguan mesazh Europës se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim

25
0

Duke folur para mbështetësve në ‘Foltoren’ tek kryeministrit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, lëshoi akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si pengesën kryesore për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Sipas Berishës, veprimet e fundit të mazhorancës janë një sfidë e hapur ndaj standardeve të Brukselit, duke zgjedhur mbrojtjen e korrupsionit përpara interesit kombëtar për integrim.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, por edhe mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qytetare dhe qytetarë guximtarë, njerëz të sakrificës që për të mbrojtur të vërtetat që besoni, protestoni këtu çdo të hënë dhe jo vetëm për veten tuaj,për familjen tuaj, por jeni zëdhënës të mbarë shqiptarëve.

Jeni zëdhënës të qytetarëve të lirë dhe në këtë aspekt jeni frymëzim për çdo shqiptar!

Të dashur miq, motivet e protestës sot janë të pafundme.

Qeveria ka humbur çdo legjitimitet.

Ajo është fryt i farsës elektorale, i shkelmimit mbi vullnetin tuaj, mbi votën tuaj.

Ajo është fryt i krimit monstruoz të përmasave evropiane dhe botërore, karteleve më të zeza të drogës që helmojnë çdo ditë me mallin e tyre, me të cilin pasurohet, fëmijët e Europës dhe jo vetëm.

Protesta është e ligjshme ndaj një qeverie që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedh qytetarët e saj.

Një qeveri që nuk ka asnjë legjitimitet dhe duhet shporrur një ditë e më parë.

Protesta është e ligjshme, është jetike kundër një qeverie, e cila në 13 vite varfëroi çdo vit e më shumë shqiptarët.

Në 13 vite, ajo bëri që ata sot të jenë qytetarët më rrogëulët dhe me pensionet më të ulëta në rajon.

Ajo bëri me vjedhjet që bëri, që gjysma e tyre të jenë në varfëri ose rrezik varfërie.

Gjysma e tyre të mos ushqejnë dot si duhet fëmijët e tyre.

Protesta është e ligjshme e cila në një farë mënyrë po shkreton këtë komb sa asgjë tjetër në historinë e tij nga vitet 1300 gjer sot.

Po i largon shqiptarët nga Shqipëria.

Por sonte ne jemi këtu për të bërë thirrje për protestë çdo shqiptari, edhe për zhvillimin dramatik që Edi Rama në mbrojtje të vjedhjeve të tij, ka vendosur t’i presë Shqipërisë rrugën e Europës.

Ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës.

Miq, dy ditë më parë ai u ftua të shkonte në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sot, shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit.

Para se të nisej, së bashku me Lubinë bënë mbledhjen e grupit parlamentar dhe në një sfidë të hapur, në një sfidë që tejkalon çdo lloj standardi, i dërguan Europës mesazhin se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim.