Ish-deputeti i PS-së dhe avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca ka reaguar ekskluzivisht për Dosja.al, pas deklaratave për përjashtimin e tij nga të gjitha formuet e Partisë Socialiste. Në një përgjigje për Dosja.al, Ndreca shprehet se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur në Asamblenë Kombëtare të PS-së, pasi nuk është anëtar i këtij forumi. Sa i përket përjashtimit nga partia, ai thekson se një vendim i tillë nuk mund të merret mbi bazën e vullnetit apo vlerësimit subjektiv të individëve, pavarësisht funksionit që ata mbajnë.
Sipas Ndrecës, përjashtimi nga Partia Socialiste është një proces që duhet të mbështetet në Statutin e partisë, të shoqërohet me respektimin e procedurave përkatëse dhe të bazohet në shkaqe konkrete statutore, të cilat duhet të provohen.
Nuk kam dijeni se çfarë ka ndodhur në Asamblenë Kombëtare të PS-së, pasi nuk jam anëtar i këtij forumi. Sa i përket përjashtimit nga Partia Socialiste, dua të theksoj se ai nuk është çështje vullneti apo vlerësimi subjektiv të askujt, pavarësisht funksionit që mban. Përjashtimi është një proces statutor, që kërkon respektimin e procedurave të përcaktuara në Statut, ekzistencën e shkaqeve konkrete statutore dhe provimin e tyre.
Çfarë ndodhi sot në Asamblenë Kombëtare të PS-së?
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Ps-së të zhvilluar këtë të shtunë. Kërkesa e tij nuk u hodh në votim, ndërsa kundër kësaj mase kanë dalë tre anëtarë të Asamblesë. Ato ishin Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko. Pas mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi sqaroi se Spiropali dhe Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve të PS-së, por do të mbeten anëtarë të partisë.







