Qeveria ka rishikuar në mënyrë të thelluar skemën e kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e zbatimit, subjektet përfituese dhe procedurën e kompensimit. Ndryshimet ligjore janë detajuar edhe me Udhëzimin nr. 4, datë 30.1.2026, të nxjerrë nga Ministria e Financave dhe kanë hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Në fokus të këtij rishikimi është formalizimi i mëtejshëm i zinxhirit bujqësor dhe garantimi që kompensimi i TVSH-së për fermerët të realizohet drejtpërdrejt nga administrata tatimore, duke eliminuar rolin e ndërmjetësit financiar nga blerësi.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përcaktimin më të qartë të blerësve të produkteve bujqësore. Sipas udhëzimit të ri, si blerës të ligjshëm konsiderohen vetëm personat e regjistruar për TVSH që ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo struktura agroturizmi të certifikuara sipas legjislacionit në fuqi për turizmin. Për herë të parë, agroturizmi i certifikuar përfshihet shprehimisht në skemë, duke zgjeruar rrethin e subjekteve që mund të blejnë produkte nga fermerët përfitues.
Udhëzimi rikonfirmon se fermeri përfiton nga skema e kompensimit vetëm nëse qarkullimi i tij vjetor nuk tejkalon pragun minimal të regjistrimit për TVSH. Ky qarkullim llogaritet mbi vlerën totale të shitjeve të faturuara ndaj blerësve të regjistruar për TVSH që nuk përfitojnë vetë nga skema e kompensimit.
Ndryshim thelbësor është edhe mënyra e faturimit. Për çdo furnizim të produkteve bujqësore, fatura tatimore fiskalizohet dhe lëshohet nga blerësi, në emër dhe për llogari të fermerit, me shënimin e detyrueshëm “Vetëfaturim sipas skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë”. Në këtë faturë nuk llogaritet TVSH, ndërsa evidentohet vlera e furnizimit mbi të cilën do të aplikohet norma e kompensimit.
Norma e kompensimit mbetet 10% dhe zbatohet mbi vlerën totale të faturave të lëshuara gjatë periudhës gjashtëmujore për të cilën fermeri paraqet kërkesë. Ndryshe nga skema e mëparshme, kompensimi nuk kryhet më nga blerësi përmes zbritjes së TVSH-së, por paguhet drejtpërdrejt nga administrata tatimore në llogarinë bankare të fermerit.
Kërkesat për kompensim do të dorëzohen dy herë në vit: deri më 31 dhjetor për furnizimet e periudhës janar–qershor dhe deri më 30 qershor të vitit pasardhës për furnizimet korrik–dhjetor. Administrata tatimore ka afat 30 ditë nga verifikimi i plotë i dokumentacionit për të kryer pagesën e kompensimit.
Paralelisht, udhëzimi shfuqizon disa nene të mëparshme që lidhnin të drejtën e zbritjes së TVSH-së me blerësin, duke e zhvendosur tërësisht barrën e verifikimit dhe pagesës te administrata tatimore. Kjo pritet të reduktojë konfliktet mes fermerëve dhe blerësve, si dhe të rrisë transparencën dhe gjurmueshmërinë fiskale të transaksioneve bujqësore.
Në thelb, ndryshimet synojnë ta bëjnë skemën e kompensimit më të qartë, më të kontrollueshme dhe më të drejtë për fermerët e vegjël, duke forcuar njëkohësisht disiplinën fiskale në sektorin bujqësor dhe atë të agroturizmit.
UDHËZIM
Nr. 4, datë 30.1.2026
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA
NË UDHËZIMIN NR. 19, DATË 3.11.2014,
“PËR ZBATIMIN E REGJIMIT TË
VEÇANTË TË SKEMËS SË
KOMPENSIMIT TË PRODHUESVE
BUJQËSORË PËR QËLLIME TË
TATIMIT MBI VLERËN E SHTUAR”,
I NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të
Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të nenit
159, paragrafi 2, të ligjit nr. 92/2014, datë 24.7.2014,
“Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e
Shqipërisë”, i ndryshuar
UDHËZOJ:
Në udhëzimin nr. 19, datë 3.11.2014, “Për
zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së
kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime
të tatimit mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar, bëhen
ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë:
Neni 1
Në nenin 3 “Kushte të përgjithshme”, pas pikës
1, shtohen pikat 1.1 dhe 1.2 me përmbajtjen si më
poshtë:
“1.1 Personi i tatueshëm, blerës i produkteve
bujqësore është personi i regjistruar për TVSH-në, i
cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe
përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm
i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin.
1.2 Për qëllime të këtij udhëzimi, blerësit e
produkteve bujqësore, referuar pikës 1.1 të këtij
neni, kanë kuptimin si më poshtë:
a)“Grumbullues i produkteve bujqësore” është
personi fizik ose juridik, i regjistruar me përgjegjësi
tatimore për TVSH-në, i cili ushtron veprimtari
ekonomike, sipas kodeve të aneksit 1 bashkëlidhur,
të blerjes, mbledhjes, selektimit dhe tregtimit me
shumicë, të produkteve bujqësore dhe/ose
blegtorale, me prejardhje nga puna e fermerit, të
furnizuara drejtpërdrejt prej tij;
b)“Përpunues i produkteve bujqësore” është
personi fizik ose juridik, i regjistruar me përgjegjësi
tatimore për TVSH-në, i cili ushtron veprimtari
Viti 2026 – Numri 29
ekonomike, sipas kodeve të aneksit 1 bashkëlidhur,
të blerjes dhe përpunimit të produkteve bujqësore
dhe/ose blegtorale, me prejardhje nga puna e
fermerit, të furnizuara drejtpërdrejt prej tij;
c) “Agroturizëm i certifikuar” ka të njëjtin kuptim
me atë të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për
turizmin, ku personi i tatueshëm që ushtron këtë
aktivitet blen produkte bujqësore dhe/ose
blegtorale, me prejardhje nga puna e fermerit, të
furnizuara drejtpërdrejt prej tij.”.
Neni 2
Në nenin 4 “Kushtet për të përfituar nga skema
e kompensimit”, pika 1, riformulohet me
përmbajtjen si më poshtë:
“Fermeri përfiton të drejtën e kompensimit për sa
kohë që qarkullimi vjetor i tij nuk tejkalon kufirin
minimal të përcaktuar të regjistrimit për TVSH-në.
Ky qarkullim bazohet në shitjet e kryera, sipas vlerës
totale të furnizimit të shënuar në faturë, për produktet
bujqësore, kundrejt personave të tatueshëm që nuk
përfitojnë nga skema e kompensimit, të regjistruar për
TVSH-në që ushtrojnë aktivitet si grumbullues
ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo
agroturizëm i certifikuar.”.
Neni 3
Në pikën 2, të nenit 7 “Çregjistrimi i fermerit”,
shfuqizohet fjalia e fundit me përmbajtje: “Personi i
tatueshëm që ka përfituar zbritjen e TVSH-së së
shënuar në faturën e lëshuar në emrin dhe për llogari
të fermerit të çregjistruar, pas datës që çregjistrimi i
tij ka hyrë në fuqi, nuk i lejohet të zbresë TVSH-në
përkatëse dhe ndërkohë nëse e ka zbritur atë TVSH
në shkelje të procedurës, i kërkohet të paguajë 100%
TVSH-në e zbritur padrejtësisht.”.
Neni 4
Neni 8 “Mënyra e zbatimit të skemës se
kompensimit” ndryshon me përmbajtjen si më
poshtë:
“Neni 8
Mënyra e zbatimit të skemës së
kompensimit
1. Blerësi, person i tatueshëm i regjistruar për
TVSH-në, për çdo furnizim të produkteve
Faqe|2471
Fletorja Zyrtare bujqësore, të marrë prej fermerit, në përputhje me
këtë udhëzim, lëshon një faturë tatimore të
fiskalizuar, në përputhje me ligjin për tatimin mbi
vlerën e shtuar dhe ligjin për faturën dhe sistemin e
monitorimit të qarkullimit, në të cilën evidenton si
shitës, shitësin fermer (prodhues bujqësor), NIPT-
in e fermerit dhe të dhënat e tjera të kërkuara sipas
faturës. Kjo faturë, në të cilën nuk llogaritet TVSH-
ja, lëshohet nga blerësi në momentin e dorëzimit të
produkteve bujqësore nga fermeri.
2. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit
të paguar nga blerësi për llogari të shitësit fermer,
mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit. Kjo
vlerë e faturës regjistrohet nga blerësi i produkteve
bujqësore në rubrikën e librit të blerjeve “Nga
fermerët vendas/vlera e tatueshme”. Rubrika e librit
të blerjeve “Nga fermerët vendas/TVSH” nuk
plotësohet, pasi kompensimi i jepet fermerit nga
administrata tatimore dhe jo nga blerësi.
3. Kërkesa për kompensim paraqitet sipas
periudhave të mëposhtme:
a) brenda datës 31 dhjetor, për furnizimet e
kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit
përkatës;
b) brenda datës 30 qershor të vitit pasardhës, për
furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të
vitit paraardhës.
4. Fermeri, nëpërmjet shërbimit postar ose në
rrugë elektronike, dorëzon në administratën
tatimore kërkesën për kompensim, sipas formatit
bashkëlidhur këtij udhëzimi. Kërkesa, ndër të tjera,
duhet të përmbajë vlerën totale të faturave të
lëshuara përgjatë periudhës së kompensimit, si dhe
numrin e llogarisë bankare të fermerit. Kjo kërkesë
shoqërohet edhe me kopje të faturave të lëshuara
nga blerësi, sipas nenit 9 të këtij udhëzimi, të cilat
duhet të jenë të firmosura nga shitësi-fermer.
5. Për të përfituar kompensimin, kushtet që
duhet të plotësojë fermeri janë:
a) qarkullimi vjetor nuk tejkalon kufirin minimal
të regjistrimit për TVSH-në, të miratuar me vendim
të Këshillit të Ministrave;
b) të ketë kryer furnizime të produkteve
bujqësore, sipas nenit 2 të këtij udhëzimi;
c) të ketë furnizuar persona të tatueshëm që nuk
përfitojnë nga skema e kompensimit në Republikën
e Shqipërisë, të cilët janë të regjistruar për TVSH-në
dhe ushtrojnë aktivitet si grumbullues ose/dhe
përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm
i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin;
Faqe|2472
Viti 2026 – Numri 29
d) është pajisur me një numër identifikimi të
personit të tatueshëm, sipas nenit 5 të këtij udhëzimi;
e) faturat e marra nga blerësi, mbi bazën e së
cilave kërkohet kompensimi janë të fiskalizuara dhe
regjistruara në bazën e të dhënave të administratës
tatimore qendrore.
6. Norma e kompensimit në masën 10%
zbatohet mbi vlerën e faturës/ave tatimore që
blerësi, person i tatueshëm i ka lëshuar shitësit,
prodhues bujqësor, përgjatë periudhës
gjashtëmujore, për të cilën kërkohet kompensimi.
7. Kompensimi ka për qëllim të mbulojë një pjesë
të TVSH-së së paguar prej fermerëve në çmimin e
blerjes së mallrave e shërbimeve, të blera për nevoja
të kryerjes së aktivitetit të tyre prodhues bujqësor.
8. Pas marrjes së kërkesës për kompensim,
administrata tatimore shqyrton kërkesën, kontrollon
dhe vlerëson dokumentet bashkëlidhur, për të
përcaktuar nëse fermeri i plotëson kushtet për
përfitimin e kompensimit apo jo. Nëse konstatohen
mangësi në dokumentacion, administrata tatimore
njofton menjëherë fermerin për mangësitë e
konstatuara dhe për plotësimin e tyre, brenda një
afati 10-(dhjetë-)-ditor.
Administrata tatimore, krahas verifikimit të
faturave të lëshuara nga blerësi, sipas nenit 9 të këtij
udhëzimi dhe të firmosura nga shitësi-fermer,
verifikon edhe nëse blerësi i produkteve bujqësore
është person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në
që ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe
përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm
i certifikuar, sipas kuptimit në nenin 3 të këtij
udhëzimi. Gjithashtu, ajo verifikon përputh-
shmërinë e vlerës së produkteve bujqësore sipas
faturave të dorëzuara nga fermeri me vlerën e
faturave të fiskalizuara dhe deklaruara nga blerësi në
bazën e të dhënave të administratës tatimore
qendrore.
9. Nëse pas verifikimeve, rezulton se janë
përmbushur kërkesat dhe kushtet e përcaktuara në
ligj dhe në këtë udhëzim, administrata tatimore,
brenda 30 (tridhjetë) ditëve, paguan shumën e
kompensimit direkt në llogarinë bankare të fermerit.
Shuma që do të kompensohet është rezultat i
shumëzimit të normës së kompensimit me vlerën
totale të furnizimit të produkteve bujqësore, të kryer
në periudhën përkatëse.”.
Fletorja Zyrtare Viti 2026 – Numri 29
Neni 5
Neni 9 “E drejta e zbritjes së TVSH-së së
kompensuar” shfuqizohet.
Neni 6
Neni 10 “Fatura tatimore dhe norma e
kompensimit” numërtohet neni 9 dhe ndryshon me
përmbajtjen, si më poshtë:
“Neni 9
Fatura tatimore dhe norma e kompensimit
1. Fatura duhet të përmbajë dhe të plotësohet me
të gjitha të dhënat e kërkuara sipas rubrikave
përkatëse. Në çdo faturë të lëshuar nga blerësi,
person i tatueshëm, duhet të evidentohet shënimi
“Vetëfaturim sipas skemës së kompensimit të
prodhuesve bujqësorë”.
2. Fatura tatimore e fiskalizuar e shitjes, e lëshuar
nga personi i tatueshëm blerës për prodhuesin
bujqësor (fermerin), duhet detyrimisht të përmbajë
të shënuara të dhënat e mëposhtme:
i. numri i faturës;
ii. numri i sigurisë së lëshuesit të faturës (NSLF);
iii. numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF);
iv. data dhe ora e lëshimit të faturës;
v. numri rendor që mundëson identifikimin e
faturës;
vi. të dhënat e fermerit, si: emri, adresa ku ka
veprimtarinë prodhuese, NIPT-i;
vii. të dhënat e blerësit, personit të tatueshëm, si:
emri, adresa, kodi i vendit të ushtrimit të
veprimtarisë, NIPT-i;
viii. përshkrimi, sasia dhe njësia matëse e
mallrave;
ix. vlera e mallrave të blera pa TVSH.
3. Në rastin kur blerësi, personi i tatueshëm
paraqitet në adresën e fermerit dhe transporton
mallrat me mjetet e tij nga adresa e fermerit në
adresën ku blerësi kryen veprimtarinë ekonomike,
atëherë fatura tatimore i lëshohet fermerit nga
blerësi në momentin që malli bëhet i disponueshëm
prej blerësit dhe fatura shoqëron mallin në adresën
e blerësit. Në këtë rast në faturë shënohen edhe të
dhënat e transportuesit.”.
Neni 7
Neni 11 “Deklarimi” shfuqizohet.
Neni 8
Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren
Zyrtare.
MINISTËR I FINANCAVE
Petrit Malaj







