Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, në deklaratën për mediat u pyet edhe në lidhje me mbetjet e rrezikshme në Durrës.
Ai tha se për të asgjësuar mbetjet e rrezikshme ka dy mënyra. Ministri u shpreh se nëse do të vlerësohet se do të ketë eksport të mbetjeve, për t’u asgjësuar në subjekte të huaja, Ministria e Mjedisit do të angazhohet me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për të plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor për ta kryer këtë proces.
Ndërsa, në rastin e dytë, shtoi ai, nëse ekspertët vlerësojnë se mbetjet duhet të asgjësohen në Shqipëri, Ministria është e gatshme të japë mbështetjen e saj.
“Ministria e Mjedisit është në dispozicion të plotë të Agjencisë të Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Në vlerësimin tonë, por edhe të ekspertëve teknikë të Ministrisë së Mjedisit janë dy rrugë që mund të ndiqen, por megjithatë duhet të shikojmë edhe vendimmarrjen e kësaj agjencie dhe të instancave ligjzbatuese. E para, nëse do të vlerësohet se do të ketë një eksport të këtyre mbetjeve, për t’u asgjësuar në subjekte të huaja, Ministria e Mjedisit do të angazhohet me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për të plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor për ta kryer këtë proces. E dyta, nëse në vlerësimin e ekspertëve por edhe të instancave ligjzbatuese, do të duhet që këto mbetje të asgjësohen në territorin e Shqipërisë, Ministria është e gatshme të japë mbështetjen e saj me gjithë subjektet private që operojnë në vendin tonë, që kanë kodet përkatëse për të tilla mbetje. Procesi do të jetë transparent”, tha ai.
Jaupaj vlerësoi se Ministria e Mjedisit po merr të gjitha masat, që për çështjet mjedisore, gjithçka të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së.
“Kapitulli 27 është për mjedisin dhe është më voluminozi për t’u plotësuar. Është kapitull i vështirë, sepse BE i ka prioritet çështjet e mjedisit. Shqipëria duhet të investojë disa miliarda euro tek industria e rëndë, uji i pijshëm, ujërat e ndotur etj, që të plotësojë standardet e BE-së. Doja të siguroja biznesin, që Ministria e Mjedisit ka marrë të gjitha masat, që të ndryshohet infrastruktura, që mos penalizohen bizneset, kur Shqipëria të aderojë në BE. Ne duhet të plotësojmë aktet ligjore, që kërkohen nga Bashkimi Europian. Ne kemi planifikuar që çdo muaj të shtrojmë për konsultim publik 2-3 paketa ligjore, për të plotësuar detyrimet tona. Po punojmë me Kodin Penal, që përgjegjësia mjedisore të jetë e parashikuar në Kodin Penaol të Republikës së Shqipërisë, si dhe po punojmë edhe me paketën për cilësinë e ajrit. Po punojmë gjithashtu për të plotëstuar kriteret në disa çështje të mjedisit. Integrimi nuk është çështje vetëm politike. Nuk mund të hedhim ndotje, që përfundojnë në lumenj apo kanale, që shkaktojnë përmbytje dhe bllokim të kanaleve. Unë jam besimplotë, që angazhimi serioz i Ministrisë së Mjedisit do përmbushë standardet e BE-së. Legjislacioni mjedisor do të jetë në përputhje me atë të BE-së. Duhen investuar 9.8 miliardë euro për të përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së, në lidhje me çështjet mjedisore. Restaurimi i natyrës është një pikë që kushton shumë, por është tepër i rëndësishëm për jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.
Nga mostrat e marra në 11 nga 102 kontejnerë në Durrës, u konstatua se ato kanë përmbajtje shumë të lartë të zinkut dhe hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër, klor dhe squfur. Kontejnerët janë vendosur në zonën e Porto Romanos, pranë Parkut Ekologjik, ku u morën në dorëzim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.







