Hetimet nisën në gusht të vitit 2025 lidhur me një llogari në TikTok, e cila përhapte propagandë të “Shtetit Islamik” përfshirë edhe thirrje dhe nxitje për dhunë.
Policia holandeze arrestoi pesëmbëdhjetë vetë të dyshuar për përhapje propagande të “Shtetit Islamik” (ISIS) në TikTok. Bastisje pati në të gjithë Holandën.
Prokuroria holandeze tha se 15 të dyshuarit po përpiqeshin përmes propagandës së ISIS të “nxisnin të tjerët të kryenin krime terroriste”. Po ashtu ata bënin thirrje për t’u bashkuar me grupin terrorist islamist, dhe i thurnin lavde idesë së “martirizimit”.
Disa nga postimet janë parë më shumë se 100,000 herë, thanë autoritetet holandeze.
Arrestimet ishin rezultati i një hetimi mbarëkombëtar që nisi policia holandeze lidhur me një llogari në TikTok që përhapte propagandë të ISIS-it me titra në holandisht.
“Glorifiikimi dhe përhapja e propagandës dëmton ndjeshëm sigurinë publike”, thanë prokurorët, duke theksuar se publikimi i propagandës së “Shtetit Islamik” përbën vepër penale.
Ç’janë të arrestuarit?
Të arrestuarit janë të moshës midis 16 dhe 53 vjeç dhe akuzohen për “nxitje për të kryer vepra penale terroriste, përhapje të propagandës së ISIS (Shtetit Islamik) dhe/ose pjesëmarrje në një organizatë terroriste”, thanë prokurorët në një deklaratë.
Trembëdhjetë nga të arrestuarit kanë kombësi siriane. Tre të tjerë kanë shtetësi holandeze dhe katër të dyshuar janë të mitur. Në janar policia holandeze kishte arrestuar një person tjetër që ka lidhje me këtë rast, dhe të cilin autoritetet e konsiderojnë si “të dyshuarin kryesor në hetim”.
Prokurorët nuk përjashtuan mundësinë e arrestimeve të tjera të cilat kanë të bëjnë me postimet në TikTok./DW







