Ballina Europë Franca kërkon dorëheqjen e raportueses së OKB-së për Territoret Palestineze, Francesca Albanese

Franca kërkon dorëheqjen e raportueses së OKB-së për Territoret Palestineze, Francesca Albanese

15
0

Franca ka kërkuar dorëheqjen e raportueses speciale të Kombeve të Bashkuara për Territoret Palestineze, Francesca Albanese, pas deklaratave të saj të fundit që kanë shkaktuar reagim të ashpër në Paris.

Sipas autoriteteve franceze, reagimi erdhi pas fjalimit të Albaneses më 7 shkurt gjatë Forumit Al-Jazeera në Doha, ku ajo mori pjesë përmes një videomesazhi. Në ndërhyrjen e saj, që u transmetua në aktivitetin ku ishte i pranishëm edhe lideri i Hamasit, Khaled Meshal, ajo thuhet se e ka cilësuar Izraelin si “armik të përbashkët të njerëzimit”.

Deklaratat u bënë objekt polemikash ndërkombëtare. Më pas, në një reagim në rrjetin social X, Albanese publikoi videon e fjalimit dhe sqaroi se deklarata e saj i referohej “sistemit që ka lejuar gjenocidin në Palestinë”, duke theksuar se ai është “armiku i përbashkët i njerëzimit”.

Çështja ka ndezur debate të reja rreth rolit dhe qëndrimeve të raportuesve specialë të OKB-së, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kërkesa e Francës do të pasohet nga veprime konkrete në nivel ndërkombëtar.