Ballina Politika Endrit Shabani zgjidhet president i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut

Endrit Shabani zgjidhet president i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut

53
0

Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, është zgjedhur President i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM), e cila është një rrjet ndërkontinental i monitorimit të të drejtave të njeriut.

Vendimi u mor me unanimitet nga Bordi i organizatës.

E themeluar si një platformë strategjike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, AOM bashkon mbi 30 institucione garantë të të drejtave të njeriut nga Evropa, Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Ky rrjet përfshin vende si: Franca, Spanja dhe Greqia, Maroku, Egjipti, Izraeli dhe Jordania, duke krijuar një front të përbashkët për mbikëqyrjen e standardeve të qeverisjes dhe sundimit të ligjit në të gjithë pellgun e Mesdheut.

Marrja e presidencës nga Shqipëria vjen në një moment kritik për rajonin, ku sfidat e llogaridhënies administrative dhe mbrojtja e lirive civile mbeten prioritete globale.

Shabani tha se “si President i AOM do të koordinoj përpjekjet e rrjetit për të forcuar pavarësinë e institucioneve të Avokatit të Popullit dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të qytetarëve përballë pushtetit ekzekutiv në tre kontinente”.

Avokati i Popullit i Shqipërisë shtoi se: “Ky pozicionon zyrën e Avokatit të Popullit të Shqipërisë si një aktor kyç në diplomacinë institucionale, duke i dhënë Tiranës një rol drejtues në hartimin e agjendave rajonale për drejtësinë administrative dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.