Dy automjetet që u gjetën në Babicë të Vlorës, pak ditë më parë do të përdoreshin nga një grup kriminal për të kryer atentat. Mjaftoi telefonata e një qytetari që të vinte në lëvizje policinë dhe të zbuloheshin dy automjetet; një automjet tip “Nissan” dhe tip “Audi Q5”, me targa të huaja të dyja të vjedhura. Brenda automjeteve u gjetën edhe 3 bidona me lëndë djegëse (benzinë). Policia ka mundur të zbulojë se njëri nga automjetet ishte i vjedhur në Greqi, ndërsa tjetri në Kavajë. Grupi kriminal që do t’i përdorte në ngjarje, iu kishte fshirë edhe shasitë, për ta vështirësuar punën e hetuesve. “Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale”, njoftoi policia pak ditë më parë.
Fakti që dy automjetet u bllokuan para se me to të kryhej ndonjë krim, ka bërë që të rriten ndjeshëm shpresat e hetuesve për gjetjen e ndonjë gjurme gishti që mund të çojë në identifikimin e personave që i fshehën në Babicë. Pas zbulimit të makinave, policia po kryen disa verifikime për vendndodhjen e disa prej eksponentëve më të rrezikshëm të dy grupeve kriminale në Vlorë, nëse ndodhen brenda apo jashtë vendit.







