Garancia sovrane për bujqësinë nuk funksioni, edhe pse ky instrument financiar u prezantua si një mundësi e artë për fermerët nga qeveria shqiptare.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit 2025, 11 institucione financiare dhanë në total 26.4 mln euro, nga 27.2 milionë euro që ishte vlera gjatë vitit 2024.
Linja e financimit me garanci sovrane dhe kredi me interes deri në 2 % nuk shkoi deri tek fermerët, pasi kjo kategori nuk plotëson kriteret.
“Mundësitë po jepen me fonde të ndryshme të garancisë, por shpesh herë bankat janë të interesuara për aftësinë paguese të agrobizneseve apo fermerëve. Një fermer duhet të bindë bankën për këtë aftësi dhe është shumë i rëndësishëm gjithë dokumentacioni i aktivitetit ekonomik. Dhe kjo i jep mundësinë institucionit financiar për ta besuar dhe për ta lehtësuar në fushën e kredisë”, u shpreh eksperti bankar Gramoz Osmani.
“Fakti është rënie në përgjithësi e interesit për të bërë biznese të reja. Në këtë drejtim kjo është një situatë që çedon për treguesit e vërtetë të saj“, shprehet eksperti Artur Ribaj.
Ndonëse shifrat tregojnë rënie të kredisë së dhënë për sektorin e bujqësisë, ministri Andis Salla tregoi një tjetër realitet në takimin e zhvilluar një ditë më parë me ministrin e financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Sipas tij ka pasur një rritje të interesit nga ky sektor në vitin 2025, dhe se Skema e Garancisë Sovrane ka filluar të japë efektet e para. Ndërkohë që të dhënat tregojnë se rënia e kredisë së disbursuar për këtë sektor në 2025 arrin deri në 3%, dhe kjo sipas ekspertëve vjen nga mungesa e informimit.
“Fermerët dekurajohen nga proceset e ndërlikuara dhe burokracitë që kanë institucionet e ndryshme financiare dhe arsyeja tjetër është përqasja dhe mungesa e konfidencës për të investuar dhe për të zgjeruar biznesin e tyre“, shton Osmani.
“Nevojitet më shumë transparencë nëse i referohemi 25 mln që jep Banka e Shqipërisë. Ka munguar informimi i publikut që të thuhet se kjo bankë është financuar sepse është një mundësi e mirë, sepse nga 0.5%-3% interes, dhe a dinë gjë këta të rinjtë që duan të zhvillohen“, shton Ribaj.
Që garancia sovrane të preket nga fermerët, ekspertët bëjnë thirrje që bankat të tregohen më mbështetëse ndaj sektorëve në nevojë.







