Ballina Aktualitet Kompensimi i banesave për projektin ‘TID’ në Durrës, larg vlerës reale/ Çmimet...

Kompensimi i banesave për projektin ‘TID’ në Durrës, larg vlerës reale/ Çmimet e tregut imobiliar disa herë më të larta

158
0

Një vendim i qeverisë, korrikun e vitit të kaluar, përcaktonte mbi 3 milionë e 250 mijë euro, për të dëmshpërblyer 74 pronarë të banesave që do të prishen nga zbatimi i projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID”.

Vendimi shoqërohej me një tabelë të detajuar për vlerat që i takonin çdo familjeje.

E gjithë sipërfaqja ndahet në dy zona kadastrale. Në njërën, çmimi për metër katror është afro 180 euro për truallin dhe pak më shumë se 730 euro për banesat. Ndërsa në tjetrën, çmimi për metër katror, është 192 euro për truallin dhe mbi 830 euro për banesat.

Në total, 22 pronarë përfitojnë dëmshpërblim për truallin dhe banesën.

Vlera e dëmshpërblimit është mbështetur në çmimet shtetërore të referencës, disa herë më të ulta se vlerat reale të tregut imobiliar në Durrës.

Artjon Barjamaj, agjent në tregun e pasurive të paluajtshme tregon për Report Tv, çmimet aktuale në ndërtimet që po kryhen pranë zonës që preket nga projekti TID. Çmimet dyfishohen kur bëhet fjalë për njësi tregtare

Sipas Barjamajt, një faktor tjetër që po ndikon në rritjen e vlerës së pronës në këtë zonë është dhe projekti i Portit turistik, vetëm 300 metra larg në vijë ajrore, ku aktualisht apartamentet, tregon ai, po shiten mbi 3 mijë euro për metër katror.

Çmimet e referencës për Durrësin i përkasin vitit 2018.

Qeveria ka njoftuar për rishikim të tyre në të gjithë vendin, me një rivlerësim dukshëm më të lartë në zonat bregdetare. Vlerat që të paktën u hodhën në konsultim publik, gjatë verës së shkuar, shkojnë deri në 124 mijë lekë, ose 1280 euro për metër katror, më shumë se 50 përqind nga çmimi aktual i referencës.

Në takimin e djeshëm me disa nga banorët, kryeministri Rama pranoi se do të duhet të shihen dhe referencat e reja, të cilat nuk kanë hyrë ende në fuqi.