Telefona, kontrata dhe një skemë kompanish private të lidhura me kompaninë shtetërore KAYO janë tashmë në duart e hetuesve të SPAK. Në qendër të hetimit është biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet, mik i kryeministrit Edi Rama, ndërsa prokurorët po kërkojnë të zbardhin nëse kompanitë e tij janë favorizuar nga zyrtarë të shtetit.
Ron Yeffet ndodhej në vilën luksoze në periferi të Tiranës, kur hetuesit zbarkuan aty për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për të ushtruar kontroll pas një hetimi të çelur nga SPAK për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Biznesmeni amerikano-izraelit, mik i kryeministrit Edi Rama, sipas hetuesve reagoi qetësisht dhe lejoi kontrollin e banesës dhe iu dorëzoi edhe celularin e tij.
Ndërkohë drejtori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu, nuk është gjetur në banesën e tij, por telefoni i është sekuestruar në zyrën e tij të punës.
Hetuesit kanë sekuestruar ndërkohë disa kontrata, pasi ka dyshime se kompanitë e Yeffet mund të jenë favorizuar nga zyrtarët shtetërorë.
Hetimi nisi pas publikimit të disa audiopërgjimeve nga Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri në arrati që ngriti dyshime edhe për trafik armësh.
SPAK po heton për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Në fokus të hetimit janë kompanitë Timak Defence dhe ADVANCED ARMS TECHNOLOGY.
Referuar të dhënave të OPEN Data, TIMAK Defence zotërohet nga kompania TIMAK shpk në masën 80 për qind dhe 20 për qind nga kompania shtetërore KAYO.
Biznesmeni amerikano-izraelit, Yeffet zotëron 49% të kompanisë TIMAK, pjesën tjetër e zotëron Arjeta Puca, e cila ishte po ashtu subjekt i kontrolleve.
ADVANCED ARMS TECHNOLOGY zotërohet nga UNO 18 me 80 për qind të aksioneve dhe KAYO me 20 për qind.
Kompania UNO 18 zotërohet nga Ron Yeffet në 50 për qind të aksioneve, ndërsa 50 për qind i zotëron Arjeta Puca. Dhe kjo e fundit ka qenë pjesë e kontrolleve të BKH bashkë me Aleks Markun aktualisht drejtor i Licencimit dhe Autorizemeve në Ministrinë e Mbrojtjes.







