Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka përgënjeshtruar publikisht gazetarin Blendi Fevziu, pas deklaratave të këtij të fundit se godina historike e Teatrit të Kukullave në Tiranë mund të kthehet në një qendër kulturore hebraike.
Fevziu kishte ngritur shqetësimin për një ndryshim të mundshëm të destinacionit të godinës, duke deklaruar se kishte insistuar vazhdimisht për të marrë sqarime mbi këtë çështje.
“Unë kam insistuar vazhdimisht dhe kam ngritur shqetësimin nëse ndodh që Teatri i Kukullave të kthehet në një qendër hebraike, siç pretendohet”, ishte shprehur gazetari, duke kundërshtuar mundësinë që një godinë me vlera historike të përdorej për një funksion tjetër.
Por Gonxhja ka reaguar duke mohuar kategorikisht se ekziston një plan i tillë.
Sipas ministrit, godina e Teatrit të Kukullave nuk do të ndryshojë destinacion dhe institucioni do të vazhdojë të funksionojë si teatër. Ai i ka cilësuar pretendimet e përhapura për këtë çështje si “fantazi dhe paranoja absurde”.
Reagimi i Gonxhjes vjen në një kohë kur debati për fatin e godinave historike në Tiranë mbetet i ndjeshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndryshimin e funksionit të institucioneve kulturore.
Ndërkohë, në Vlorë, ndërtimi i Muzeut Hebraik Shqiptar është kthyer në objekt përplasjesh mes qytetarëve dhe institucioneve. Projekti, i parashikuar në qendrën historike të qytetit, pranë godinës së ish-Klubit Patriotik “Labëria”, ku ndodhet Muzeu Etnografik, është kundërshtuar nga qytetarë që pretendojnë se ndërhyrjet cenojnë trashëgiminë historike të zonës. Kundërshtimet janë shoqëruar me protesta dhe procese gjyqësore, ndërsa punimet janë përballur me pezullim. Qytetarët kundërshtues kanë kërkuar që muzeu të ndërtohet në një vend tjetër, pa cenuar godinat historike ekzistuese.
Për momentin, nuk ka një vendim zyrtar të publikuar që të konfirmojë kthimin e Teatrit të Kukullave në qendër hebraike. Ministri këmbëngul se destinacioni i tij nuk do të ndryshojë, duke hedhur poshtë publikisht pretendimin për të cilin Fevziu kishte ngritur shqetësimin.







