Ballina Kuriozitete Ç’na mëson ngritja dhe rënia e Jul Cezarit për inteligjencën emocionale

Ç’na mëson ngritja dhe rënia e Jul Cezarit për inteligjencën emocionale

73
0

Në diskutimet për lidershipin, zakonisht theksi vihet te strategjia, zbatimi, vizioni dhe ndikimi karizmatik. Por një nga arsyet më të shpeshta pse edhe liderët më të jashtëzakonshëm dështojnë nuk lidhet me atë që bëjnë, por me atë që nuk arrijnë të ndiejnë: rrymat emocionale përreth tyre, pakënaqësitë e fshehura pas duartrokitjeve.

Ky ishte kurthi fatal i Jul Cezarit, një figurë që pushtoi kombe, ndryshoi Romën dhe rishkroi mënyrën se si dukej lidershipi. Fundi i tij i papritur dhe tragjik, në duart e ndjekësve të vet, nuk erdhi thjesht nga arroganca apo dëshira për pushtet, por nga mungesa e inteligjencës emocionale, aftësia e heshtur që mban gjallë besimin pasi arrin një pozicion drejtues. Diçka që Cezari mund ta kishte parandaluar.

Një ngritje legjendare dhe një pikë e verbër e nënvlerësuar

Ngritja e Jul Cezarit, më shumë se dy mijë vjet më parë, ishte e jashtëzakonshme: si në qeverinë romake ashtu edhe si gjeneral. Që atëherë, ai mbetet një nga rastet më tërheqëse në histori për studimin e lidershipit. Karriera e tij jep mësime të përjetshme për ndikimin, reputacionin dhe sjelljen njerëzore brenda sistemeve të mëdha dhe konkurruese. Emri i tij jeton edhe sot në tituj si “Kaiser” në gjermanisht dhe “Car” në rusisht. Ka shumë arsye për ta studiuar nga afër për mësime të vlefshme për liderët e sotëm.

Kur shohim si u zhvillua karriera e tij, del një model i qartë. Që në fillim, kur provoi të ishte avokat, edhe pse ishte një folës i shkëlqyer në gjyq, ai nuk arriti të ndikonte tek ata që në fund vendosnin rezultatin e çështjes. Pas rezultateve të përziera, ai hyri në politikë dhe fitoi disa poste falë performancës dhe dukshmërisë së tij.

Megjithatë, si politikan, ai shpesh nuk arriti ta bindte Senatin për propozimet e tij. Argumentet e tij logjike, edhe pse gjithmonë të paraqitura bukur, humbnin përballë kundërshtarëve që dinin të preknin emocionet dhe interesat personale të senatorëve.

Më vonë, si gjeneral, ai mendoi se kishte pushtuar Galinë, por u befasua nga kryengritja më e madhe që kishte ndodhur ndonjëherë atje. E njëjta gjë ndodhi kur mendoi se kishte fituar luftën civile, dhe papritur shpërtheu një revoltë e madhe në Spanjë.

Edhe pse ishte brilant, Cezari arriti t’i kapërcejë këto vështirësi, por me shumë mundim. Në Romë, ai krijoi një organizatë politike që i lejoi të anashkalonte Senatin duke i çuar propozimet drejtpërdrejt te populli për votim. Në luftë, aftësitë e tij të jashtëzakonshme si gjeneral dhe ushtria besnike e ndihmuan të fitonte.

Pushtimi i Galisë konsiderohet një arritje e madhe ushtarake. Por pak e dinë se fitorja pothuajse i rrëshqiti nga duart dhe se ai mund ta kishte parandaluar këtë. Po ashtu, kryengritja në Spanjë gati sa nuk i kushtoi fitoren në luftën civile.

Në të gjitha rastet, shpejtësia, inovacioni, organizimi dhe aftësia për zbatim, pikat e forta të suksesit të tij, e shpëtuan nga katastrofa. Por ai nuk ndaloi për të reflektuar se çfarë kishte shkuar keq, në mënyrë që të mësonte prej saj.

Cezari nuk e kuptoi që pakënaqësia po rritej. Dhe gjithçka përfundoi në tragjedinë e njohur në Idet e Marsit, në vitin 44 para Krishtit, kur ai u godit pas shpine.

Kur kishte shtypur çdo rezistencë dhe ishte bërë sundimtari i vetëm i Romës, ai vazhdoi me vrull. Planet e tij për të reformuar Romën dhe perandorinë ishin të arsyeshme, por ai i zbatoi me shpejtësi dhe pa u siguruar që të tjerët të ishin dakord. Meqë askush nuk kundërshtonte hapur, ai mendoi se të gjithë pajtoheshin.

Kjo krijoi një koalicion kundër tij. Disa u ndjenë të anashkaluar ose që u ishte bërë padrejtësi. Të tjerë u shqetësuan për karrierën e tyre. Disa e panë mënyrën e tij drejtuese nga lart-poshtë si një përpjekje për ta zëvendësuar Republikën me një monarki.

Në çdo rast, ai nuk e kuptoi që pakënaqësia po shtohej, dhe gjithçka përfundoi në tragjedinë e njohur në Idet e Marsit, në vitin 44 para Krishtit, kur ai u godit pas shpine.

Çfarë shkoi gabim?

Sipas KDVI, çelësi është inteligjenca emocionale. Ajo përkufizohet si aftësia për të identifikuar, kontrolluar dhe kuptuar emocionet, si të vetat ashtu edhe, deri diku, të të tjerëve.

Liderët me inteligjencë të lartë emocionale kanë vetëdije të fortë për veten. Ata njohin dhe rregullojnë emocionet e tyre dhe kuptojnë reagimet emocionale të të tjerëve. Kjo i ndihmon të menaxhojnë situata të ndërlikuara me zgjuarsi dhe qartësi.

Në rastin e Cezarit, kjo do të thoshte:

• Ai nuk arriti të dallonte pakënaqësitë emocionale mes aktorëve kryesorë.
• Nuk e kuptoi që njerëzit marrin vendime jo vetëm mbi bazën e logjikës, por edhe emocioneve.
• Nuk e kuptoi që ndryshimi i rolit sjell ndryshim pritshmërish. Si sundimtar i vetëm, ai vazhdoi të përdorte të njëjtat mënyra që e kishin bërë të suksesshëm më parë, në vend që të siguronte mbështetje për ndryshimet që donte të bënte.

Kjo lidhet me idenë e njohur të Marshall Goldsmithit: “Ajo që të solli këtu, nuk do të të çojë atje.”

Mësime për liderët e sotëm

Çfarë do të thotë historia e Cezarit për liderët e sotëm?

• Inteligjenca emocionale nuk është opsionale. Të lexosh situatën, të ndiesh pakënaqësinë, të kuptosh keqkuptimet mes ndjekësve është thelbësore, jo vetëm për të fituar mbështetje, por edhe për të shmangur rezistencën që mund të rrezikojë suksesin.
• Mos mat vetëm atë që bën, por edhe si ndihen njerëzit për atë që bën.
• Sigurohu që të kesh informacion të saktë për atë që ndodh në të gjitha nivelet e organizatës, përmes sondazheve, takimeve të hapura dhe vizitave të papritura.
• Përshtat stilin tënd kur ndryshon roli yt. Sidomos pas një promovimi, duhet të jesh i vetëdijshëm jo vetëm për objektivat e reja, por edhe për pritshmëritë e të tjerëve ndaj teje.

Liderët modernë duhet të jenë të vëmendshëm ndaj rrymave emocionale. Ndikimi pa besim çon në izolim, dhe pushteti pa empati mund të sjellë rebelim. Pyetja që duhet t’i bëjmë vazhdimisht vetes nuk është vetëm: “A po më dëgjojnë?”, por edhe: “A po i dëgjoj unë ata, sidomos kur nuk po thonë asgjë?”Jul Cezari nuk e bëri këtë. Dhe pjesa tjetër është histori.