Ballina Ekonomia Bankat shqiptare fituan 370 milionë euro vitin e kaluar

Bankat shqiptare fituan 370 milionë euro vitin e kaluar

87
0

Bankat shqiptare përjetuan një tjetër vit të mirë në termat e përfitueshmërisë, ndonëse me një rënie të ulët. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se fitimi neto i 11 bankave shqiptare rezultoi 35.6 miliardë lekë ose rreth 370 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i bankave në Shqipëri u ul lehtë me 4.7 për qind, por 2024 shënoi rekordin historik në rezultatin financiar të bankave.

Ndërkohë, sipas të dhënave të raportuara nga BSH, portofoli i kredisë së bankave u zgjerua me 13.5 për qind gjatë vitit të kaluar duke arritur në 946.36 miliardë lekë, nga 834.2 miliardë lekë që u mbyll për vitin 2024. Paralelisht depozitat në banka u rritën në 1.84 trilion lekë, nga 1.68 trilion lekë.

Grupi i të dhënave përfshin shifra nga njëmbëdhjetë bankat që operojnë në Shqipëri, nga të cilat Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ishte më e madhja për sa i përket aseteve në fund të tremujorit të tretë, sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave.