Duke folur në ‘Foltoren‘ para kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u deklaroi se, adoleshentët dhe të rinjtë në protestat e opozitës, janë bërë tmerri i narkoregjimit.
Berisha paralajmëroi edhe oficeren e policisë që është paraqitur si, psikologe në komisariatet e policisë.
‘Unë paralajmëroj policinë se nuk do të tolerohet asnjë keqtrajtim ndaj qytetarëve në tërësi dhe të rinjve në veçanti. I them asaj oficeres që paraqitej si psikologe tek adoleshentët e arrestuar, do të gjejmë cila je dhe e zeza ti, ligji do jetë shumë i rreptë për ty’, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të madh për ju burra dhe gra, djem dhe vajza të pamposhtur që mblidheni këtu në emër të të vërtetave më të mëdha të shqiptarëve.
Mblidheni këtu në emër të idealeve të lirisë.
Mblidheni këtu në emër të dinjitetit njerëzor, por edhe të dinjitetit kombëtar.
Një përshëndetje për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, për ata qindra mijëra qytetarë që mbushën sheshet, rrugët në kryengritjen tonë paqësore.
Sonte, nga kjo platformë, përshëndes me përzemërsinë më të madhe të rinjtë, adoleshentët, gjimnazistët, studentët që ishin forca, ishin fytyra, ishin energjia dhe u bënë tmerri i narkoregjimit me datën 10 shkurt.
Duke shprehur mirënjohjen më të pakufishme ndaj tyre dhe nderimin tim, dua t’u them gjithashtu se është shansi i madh i jetës tuaj të filloni jetën politike në mburojë të vendit dhe kombit tuaj.
Është shansi i madh i juaj të mbroni këtë vend nga kjo e keqe e tmerrshme që i ka rënë mbi supe.
Është misioni i jetës suaj, mision për të cilin do ndjeheni krenarë gjithmonë, jo vetëm ju, por fëmijët tuaj, fëmijët e fëmijëve tuaj, sepse u angazhuat në një moshë të tillë për të përmbysur narkodiktaturës, për të përmbysur diktaturën autoritare më të keqe që Europa ka njohur.
Unë gjithashtu dënoj me forcën më të madhe dhunën, terrorin fizik dhe psikologjik që u ushtrua në komisariatet e policisë ndaj të rinjve, ndaj adoleshentëve, histerinë në parlament të hajdutëve socialistë kundër tyre.
Unë paralajmëroj policinë se nuk do të tolerohet asnjë keqtrajtim ndaj qytetarëve në tërësi dhe të rinjve në veçanti.
I them asaj oficeres që paraqitej si psikologe tek adoleshentët e arrestuar, do të gjejmë cila je dhe e zeza ti, ligji do jetë shumë i rreptë për ty.
Para se të kryeje atë veprim, të shkoje me uniformë mashtrimi para tyre, nuk duhet të harroje se ti je motër, je nënë, se ti je bashkëshorte dhe ti nuk mund ta bëje kurrë atë para adoleshentëve dhe të rinjve shqiptarë.
U bëj thirrje forcave të rendit të qëndrojnë në detyrë, jashtë çdo ndikimi nga banditët në drejtim.
Ju jeni njerëz, jeni bijë, bija, jeni familjarë, jeni bashkëshortër, prindër, jeni qytetarë, nuk keni asgjë të përbashkët me organizatën kriminale, nuk keni asgjë të përbashkët me kriminelë si Ilirjan Proda dhe Sokol Bizhga. Nuk u lidh asgjë me ta.
Ata janë që të gjithë për të pasur vendin jo vite, por dekada në burg.
Prandaj urdhrat e tyre, asnjë të mos i zbatojë.







