Ballina Europë Operacioni antidrogë në Holandë, arrestohen dy shqiptarë, sekestrohen 500 kg kokainë

Operacioni antidrogë në Holandë, arrestohen dy shqiptarë, sekestrohen 500 kg kokainë

71
0

Policia holandeze ka arrestuar dy shqiptarë. Arrestimi i tyre erdhi në kuadër të një hetimi të kryer nga autoritetet holandeze. Dy shqiptarët u kapën duke nxjerrëë kokainën e trafikuar nga një pasisje. Në kuadër të kësaj u sekuestruan 500 kilogramë kokainë dhe një armë zjarri.

Media shkruan se pas kompanive të transportit dhe importit të frutave, që duken të ligjshme, fshihet sërish një rrjet i ngatërruar firmash fiktive. Sipas saj, kriminelët hapin kompani të ligjshme si mbulim dhe zhvendosen në depo jashtë portit për të nxjerrë drogën nga mallrat e importuara.

Artikulli i plotë nga DE TELEGRAAF

Një ekip i posaçëm i policisë po ndjek kriminelët e drogës që përdorin biznese në dukje të rregullta si fasadë për kontrabandën e kokainës. Sipas Jan Janse, shef në largim i policisë së portit detar të Roterdamit në Holandë, ekipi duke hulumtuar mes të tjerash në regjistrat e Dhomës së Tregtisë ka realizuar një goditje të parë të madhe. “Duke ndjekur kompanitë në letër, arritëm te kjo kapje e kokainës”.

Është mëngjesi i së enjtes, 29 janar, kur pas hetimeve, një njësi arrestimesh ndërhyn në një depo në rrugën Van Leeuëenhoekstraat në Harderëijk. Brenda objektit, dy persona nga Shqipëria po nxirrnin kokainë të trafikuar nga një pajisje. Në total sekuestrohen 500 kilogramë. Gjendet edhe një armë zjarri. Sipas Janse, kjo nuk është një rastësi, por pjesë e një trendi më të gjerë. Trafikantët e drogës po rikthehen te truket e vjetra për të futur kokainë në Holandë.

Rrjet i ndërlikuar firmash fiktive

Pas kompanive të transportit dhe importit të frutave, që duken të ligjshme, fshihet sërish një rrjet i ngatërruar firmash fiktive. Kriminelët hapin kompani të ligjshme si mbulim dhe zhvendosen në depo jashtë portit për të nxjerrë drogën nga mallrat e importuara.

Ky nuk është luks, por domosdoshmëri, thotë Janse. Porti i Roterdamit është bërë gjithnjë e më i sigurt vitet e fundit, falë bashkëpunimit të ngushtë me terminalet, kompanitë detare dhe transportuesit.

Për “nxjerrësit” (personat që marrin drogën nga kontejnerët), për shkak të masave të shtuara të sigurisë, është bërë shumë më e vështirë hyrja dhe dalja nga zona. Gjithashtu, me teknologji të sigurt është ndalur mashtrimi me kodet PIN për të tërhequr kontejnerë nga terminalet.

“Kemi ngritur barriera për t’u paraprirë kriminelëve dhe kjo po jep fryte,” thotë Janse. “Por të rrish duarkryq nuk është opsion”.

Shifrat flasin

Në muajin e parë të vitit 2026, në portin e Roterdamit u sekuestruan gati 8.000 kilogramë kokainë, nga të cilat rreth 5.000 kilogramë ishin destinuar për një kompani në Moerdijk. Për krahasim: gjatë gjithë vitit 2024 u sekuestruan 11.466 kilogramë.

Sipas Janse, po rikthehet një metodë e vjetër: linja transporti kriminale të ngritura përmes bizneseve që duken të ligjshme.

“Duhet mbyllur rruga përmes Dhomës së Tregtisë”

Sipas tij, kjo rrugë duhet të mbyllet në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Dhomën e Tregtisë. Është tepër e lehtë të hapësh një kompani pa kontrolle serioze pasuese.

“Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për trafik droge. Të njëjtin mekanizëm e shohim edhe në aktivitete të tjera kriminale,” thotë ai.

Duhen më shumë instrumente për të hetuar më shpejt kompanitë e dyshimta. Dhoma e Tregtisë duhet të ketë më fort rolin e “rojtarit të portës”. Duhet ndërhyrë më shpejt kur nuk paguhet TVSH-ja apo tatimi mbi të ardhurat, ose kur mungojnë bilancet vjetore. Kompanitë duhet të çregjistrohen më shpejt nëse rezulton se shërbejnë si fasadë apo për pastrim parash.

Shembuj nga terreni

Janse jep një shembull praktik: “Një polic i lagjes dërgohet për verifikim dhe konstaton se një ‘auto-shitje’ ndodhet në katin e dytë të një ndërtese. Kur troket, askush nuk hap derën. Ose një berberhane ku nuk hyn kurrë asnjë klient, por që është rinovuar për 200 mijë euro”.

Institucionet duhet të fokusohen edhe te regjistrimet në Dhomën e Tregtisë.

“Me ekipin e mbulimit, pamë që kjo funksionon. E kemi parë në portin e Roterdamit përmes bashkëpunimit dhe ngritjes së pengesave. Por kjo kërkon vigjilencë të vazhdueshme,” përfundon Janse.