Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për shkarkimin nga detyra të Shpëtime Pitakut.
Vendimi i KPA është përfundimtar dhe vjen pas ankimimit që bëri ish-gjyqtarja e Durrësit.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 54/2024, datë 23.12.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Shpëtime Pitaku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 790, datë 26.07.2024.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 790, datë 26.07.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shpëtime Pitaku. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 17.02.2026.”, thuhet në vendim.
Shpëtime Pitaku e ka nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Durrës.
Në vitin 2015, Pitaku u kallëzua në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për dyshime për fshehje pasurie, por hetimi u mbyll pa rezultat.
Ndërsa në vitin 2023, në një nga banesat e e Pitakut, disa hajdutë grabitën 2 mijë euro dhe disa bizhuteri. Përpos të tjerave, Shpëtime Pitaku pati deklaruar se posedon edhe 7 pasuri të paluajtshme, nga të cilat fiton dhjetëra mijëra euro në vit, pasi i ka dhënë me qira.
Ajo ka deklaruar një klinikë dentare dhe 5 lokale, të cilët gjithashtu i ka dhënë me qira.







