Bashkimi Europian ka reaguar lidhur me propozimet për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, të paraqitura nga Kryeministri Edi Rama, të cilat synojnë të mbrojnë ministrat dhe disa zyrtarë të lartë nga pezullimi gjatë hetimeve nga SPAK.
Në një përgjigje zyrtare dërguar ekskluzivisht për Syri TV, BE njofton se po ndjek nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt. “BE monitoron dhe vlerëson çdo nismë ligjore që lidhet me sistemin gjyqësor në të gjitha vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. Këto nisma pritet të jenë në përputhje me acquis-në e BE-së dhe standardet europiane,” thuhet në përgjigje.
BE kujton se është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij, duke vënë në fokus rëndësinë e luftës kundër korrupsionit për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.







