Familja Bungo nga Elbasani dokumentohet qysh në shekullin e XIV-të, si një ndër familjet me prona në dokumentet osmane dhe brez pas brezi trashëgoi pasurinë që do ta humbte për një vit dhe nuk do ti kthehej asnjëherë në të njëjtat përmasa. Por me gjithë pasurinë e madhe, beu Demir Bungo nuk u pajtua me regjimin fashist, duke humbur detyrën e tij si sekretar gjykate, pasi nuk pranoi të anëtarësohej në partinë fashiste. Kjo bëri që ai të ishte në shënjestër, si nga fashistët, ashtu edhe nga nazistët më pas. E megjithatë, ishte beu që strehoi dy italianë dhe i shpëtoi nga ndjekja e nazistëve. Ai gjithashtu provoi internimin në Porto Romano, u vu në shënjestër nga oficerë të Gestapos dhe arriti të shpëtojë mrekullisht. Demir Bej Bungo u bë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kjo nuk do të ishte një rastësi.
Ai ishte dhëndër në familjen Baholli, familje e cila për një kohë të gjatë strehoi Enver Hoxhën dhe Shtabin e Përgjithshëm në çifligun e saj në Labinot Mal. Kjo lidhje vinte pasi Nexhmije Hoxha ishte kushërirë e kësaj familjeje dhe afërsia mes tyre ishte e madhe. Por me gjithë këtë lidhje dhe këtë kontribut, Demir bej Bungo vdiq në kampin-burg të Maliqit, një djalë i tij u burgos, ndërsa fëmijët e tjerë u sekuestruan, u hoqën nga shkolla dhe u pushuan nga puna.
Kushërira e dytë e Nexhmie Hoxhës, Myrvet Nazif Baholli, bashkëshortja e Demir Bej Bungos, nuk e uli asnjëherë kokën, t’i kërkonte mëshirë bashkëshortes së diktatorit dhe jeta e vështirë e kësaj familje, vazhdoi deri në demokraci. Familja e Demir Bej Bungos përbëhej nga bashkëshortja e tij Myrvet Nazif Baholli, nëna e tij Zeqineja dhe fëmijët e tij; Sezaiu, Haxheri, Hyseni, Ferzileti, Bulenti, Astrit dhe Shkëndija. Ferzileti dhe Shkëndija tregojnë historinë e familjes, që u persekutua deri në palcë.
Ato tregojnë se përndjekja e familjes së tyre ishte mjaft absurde dhe thonë se arsyeja e vetme, ishte se ato ishin të pasur. Edhe pse ishin të lidhur afër me bashkëshorten e ish diktatorit Enver Hoxha, kjo nuk i ndihmoi t’i shpëtonin persekutimit, madje e pësuan më keq duke humbur të atin në Maliq.
Ferzileti, vajza e Demir Bej Bungos, tregon peripecitë e familjes
“Babai, në fillim të viteve ‘40-të, ishte kryesekretar në gjykatë. Ai kishte qenë nxënës në ‘Normale’ dhe veç pronave të trashëguara, punonte edhe në administratë. Në kohën kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, ai pushohet nga detyra, pasi nuk pranoi të anëtarësohej në partinë fashiste. Më pas u përndoq dhe u internua në Porto Romano, bashkë me Aleks Budën, Abdyl Kongolin dhe të shoqen e Aleksandër Xhuvanit.
Edhe pasi kthehet nga Porto Romano, ai vazhdoi aktivisht të ndihmojë Lëvizjen Antifashiste, duke dërguar në Labinot Mal barna, ushqime dhe gjithçka duhej te partizanët. Në këtë kohë ai vihet në shënjestër të gjermanëve. Ishte një kolonel i njohur me emrin Franc, i Gestapos, që e kishte vënë në ndjekje dhe qëllimi ishte vetëm ta kapte dhe fundi në këto raste, dihej që ishte në kampet e përqendrimit”.
Znj. Ferzilet, si i shpëtoi familja Bungo, dy italianët?
Dy shokë të babait, i sollën dy italianë për t’i strehuar. Babai i strehoi dhe i tha se do t’i dërgonte te çifligu në Llixhë. Pasi kaluan qipshe mas qipshe, dolën aty ku sot ndodhet shkolla “Ali Agjahu”, ku i mori i shoferi bashkë me babain, për t’i dërguar tek pronat tona. Ata kujdeseshin për çifligun. Vincenzo Antonacci, një prej tyre, vizitoi familjen tonë vetëm pak vite më parë, duke kujtuar me mirënjohje familjen që i shpëtoi jetën.
Ne bastiseshim vazhdimisht për dy arsye: pse babai ishte angazhuar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe për strehimin e italianëve. Një kapiten gjerman i quajtur Franc, donte ta kapte babain. Ka qenë një rast kur ne ishim shumë të vegjël. Babai sa kishte ardhur nga Tirana dhe i kishte vënë pallton e këpucët tek dera. U në një kontroll i shpejtë dhe i menjëhershëm. Babai ishte futur në bodrum dhe hyrja ishte e fshehur. Atëherë shpëtoi për pak, pasi kushedi ku do kishte përfunduar.
Si i mbani mend kontaktet e babait me Enver Hoxhën?
Babai ishte dhëndër në familjen Baholli, ku gjeti strehë Lëvizja Nacionalçlirimtare, dhe sidomos Enver Hoxha. Madje më kujtohet që Enveri kishte shumë besim tek babai dhe një herë i kishte kërkuar t’i gjente një korrier besnik. Babai i gjeti një korrier që quhej Hyqmet Çoku. Ai njihte edhe terrenin përreth dhe nisur nga ky fakt, u bë një ndër korrierët më besnik të Enverit.
Babai bisedonte lirisht me Enverin. Ishte dhëndër i shtëpisë Baholli dhe dërgonte ndihma, veshje, ushqime. Enveri ka qëndruar 14 muaj në çifligun e familjes Baholli në Labinot Mal, pa lëvizur fare. Familja Baholli vuri gjithçka në dispozicion në shërbim të Lëvizjes, madje edhe shërbyesit.
Si vazhdoi marrëdhënia me Enverin, pasi mbaroi Lufta?
Ne kishim një lidhje të afërt me Nexhmijen, pasi babai i mamasë time dhe i ati i Nexhmijes, ishin djem tezesh. Nëna ime me Nexhmijen, ishin kushërira të dyta. Kur mbaroi lufta, babai ishte pa punë. Filloi reforma po i merreshin pronat pronarëve dhe babai qe shumë i pakënaqur. Ata e kërkonin babain ta vendosnin kryesekretar në gjykatë, por ai nuk pranoi.
Babai tha se ishte me zemër dhe nuk donte të ingranohej në asnjë lloj pune. Ai ishte kundër komunizmit dhe ishte për një pushtet demokratik. Ai thoshte shpesh që komunizmi është utopi. Në një rast duke qenë se ishte kohë e vështirë babait i duheshin lekë për familjen dhe theu dy monedha florinj. Ai ia dha një mikut të vet por atë e kapën. Ligji i sekuestrimit të florinjve nuk ishte vendosur akoma dhe mund ta konvertoje ku të doje.
Por kjo që bëri babai, u quajt kontrabandë. U kap një grup i madh prej 80 vetash, ku bënin pjesë shumë tregtarë dhe ndër këto u arrestua edhe babai. Atë filluan ta torturonin rëndë, për të treguar florinjtë. Ne i mbanin në një kasafortë. Ishin 2 mijë monedha florinj, bizhuteritë e floririt, si ora unaza, varëse, byzylykë etj.
Të gjitha i morën, por nuk u mjaftuan, kërkonin edhe më tepër. Atëherë morën nënën në burg, pse s’tregonte florinjtë e tjerë. Nuk i jepnin as ushqim. Ne i çonim ushqim, ata nuk ja jepnin, por e torturonin. Ishim 7 fëmijë dhe me nënën në burg. Pas disa ditësh, nëna u lirua.
Si u përndoq familja Baholli pas çlirimit?
Daja, Nazmi Baholli dha dorëheqjen, tatimin e kishte shlyer, por nga inati, ata e dërguan në kampin-burg të Maliqit. Nusen e dajës e arrestuan për çështjen e tatimit. I biri i tij, Sami Baholli (ish-shok i ngushtë i Qemal Stafës që në Itali), ishte komunist dhe u bë zyrtar i Presidiumit (sekretar i përgjithshëm, kurse Haxhi Lleshi kryetar), ndërsa dajë Hyqmeti përfundoi në Maliq.
Ai ishte në krye të Presidiumit, ndërsa i ati ndenji disa muaj në kampin-burg të Maliqit. Kështu u përndoqën familjarisht, edhe pse Sami Baholli ishte në krye të Presidiumit. Pjesa tjetër e familjes Baholli u harrua, edhe pse kontribuoi për Lëvizjen dhe ruajti me besnikëri jetën e Enver Hoxhës.
Si përfundoi babai juaj pas arrestimit?
Babai im nuk u kthye kurrë më. Vdiq në kampin-burg të Maliqit. Dënimi i babait pas vdekjes, i ishte hequr. Kishte marrë pafajësinë. Ne e kemi marrë vesh tani vonë, kur morëm dëshmitë e penalitetit, që atij i ishte dhënë pafajësia, por pas vdekjes.
Babait i vunë akuzën; “Agjitacion propagandë”. Halli ishte t’i merrnin pasurinë, se për kontrabandë dënohej vetëm me dy vjet dhe dilte. Pas arrestimit, na morën 3 palë shtëpi, 8 dyqane, një furrë, dy ara, tokat në Llixhë, ullishtat gjithçka. Madje na morën edhe veshjet. Vëllait tim i hoqën pizhamet, se nuk i mbushej numri i ndërresave që duhet të merrnin nga shtëpia jonë.
Ne mbaruam shkollën këtu, Pedagogjiken dhe dolëm arsimtarë. Lufta e klasave vazhdonte. Ne jetonim tek një familje përballë shtëpisë tonë, e cila na liroi një dhomë. Në shtëpinë tonë, futën një familje komunistësh. Hysenit i vunë syrin Sigurimi i Shtetit: “Ke lavdëruar Pelen e Brazilit”. Kur dëgjoi këtë akuzë, vëllai u trondit se Pelenë e lavdëronte edhe “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, etj.
Mjaft i habitur ai iu tha: “Merrni e akuzoni edhe ‘Zërin e Popullit’, ‘Zërin e Rinisë’ se dhe ata kanë lavdëruar Pelenë e Brazilit”
Vëllanë e arrestuan ushtar. E shkëputën nga arsimi, e dërguan në ushtri, me justifikimin e moshës dhe atje e arrestuan. Bëri katër vjet burg. Edhe Astriti u largua nga arsimi. Ai u pushua nga puna. Bulenti ishte mekanik dhe vazhdoi punën. Unë isha e vetmja që shkoja në punë, por në zona të thella me vështirësi të mëdha, me ujëra përpara, saqë sot jam bërë sakate. Motra e vogël Shkëndija, mbeti e papunë.
Në këto valë të përndjekjes, një herë kam takuar gjeneral-major Nevzat Haznedarin, kryetarin e Degës së Brendshme të Elbasanit. Ai më priti shumë mirë. Erdhi në shkollën ku unë punoja, ku dëgjoi një orë mësimi të klasës së tetë. Ajo ka qenë një klasë shumë e mirë dhe të gjithë vazhduan shkolla e larta e u bënë me profesione të njohur. Në fund i thash; dua të bisedoj me ju. Ai më tha se në kthim, do të ndalonte dhe ndaloi.
Ne na binte në qafë Riza Tirana, që kishte marrë shtëpinë tonë. I thashë mbi problemet e shqetësimet që na shkaktonin dhe morën masa, por përndjekja vazhdoi nga ky njeri, derisa nënës dhe vëllait i hoqën triskat e Frontit. Unë me vëllanë Astritin, i shkruajtëm letër Nexhmijes Hoxhës, për këtë gjë. Nexhmia dërgon Kadri Musain tek nëna.
Duke e përcjellë Kadri Musain, ky i kishte thënë vëllait, Astritit: “Mamaja do këshilluar një çikë, se e ka kokën e fortë”! Ai i kishte thënë: “Ato i dinë sa ka vuajtur mamaja”. Kështu mamaja përfundoi në kazmë dhe rriti shtatë fëmijë. Triska e Frontit ishte anëtarësia në Frontin Demokratik. Ishte organizata më e madhe e masave. Ishte e vetmja “ndihmë” nga Nexhmia. Nëna ime kurrë nuk i kërkoi gjë./ Memorie.al







