Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton për herë të parë në mënyrë të detajuar administrimin, afatet e ruajtjes, kontrollin dhe fshirjen e të dhënave personale të mbledhura nga Policia e Shtetit gjatë ndalimit të përkohshëm policor, ndalimit dhe arrestimit të personave.
Akti, i mbështetur në ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, synon të vendosë një ekuilibër të qartë mes nevojave të hetimit penal dhe garantimit të të drejtave themelore të individit, në një kontekst ku përpunimi i të dhënave për qëllime policore konsiderohet me rrezik të lartë për privatësinë.
Udhëzimi zbatohet për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit dhe për të gjithë punonjësit e policisë gjyqësore të përfshirë në procedurat e ndalimit dhe arrestimit, si në sistemet manuale ashtu edhe në ato elektronike.
Ai përkufizon qartë: “përpunimin e të dhënave personale për qëllime policore”; ndalimin e përkohshëm policor; ndalimin dhe arrestimin sipas Kodit të Procedurës Penale; profilizimin e të dhënave, duke përfshirë vendimmarrjen e automatizuar që mund të ndikojë ndjeshëm në jetën private të individit.
Në thelb, Policia e Shtetit mund të përpunojë të dhëna personale për dokumentimin ligjor të veprimeve policore dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, por vetëm mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe kufizimit të qëllimit.
Gjatë ndalimit dhe arrestimit, përveç të dhënave identifikuese standarde, mund të përpunohen edhe të dhëna sensitive, si: përshkrimi i pamjes dhe shenja të veçanta; gjurmët e gishtave dhe të pëllëmbëve; fotografi (pamje ballore dhe profil); mostra zëri; kampionë biologjikë për profil ADN-je, me pëlqimin e personit dhe sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale.
Udhëzimi thekson se këto të dhëna duhet të administrohen në mënyrë të posaçme dhe me masa të shtuara sigurie teknike dhe organizative.
Një nga elementët më të rëndësishëm të aktit janë afatet e qarta të ruajtjes së të dhënave: 6 muaj për personat e ndaluar përkohësisht, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye të përligjura që lidhen me hetime apo procese gjyqësore në vijim; 5 vjet për personat e ndaluar ose të arrestuar, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.
Për të dhënat që lidhen me vepra penale të ndryshme, periudha e rishikimit lidhet me masën maksimale të dënimit: 2 vjet (kur dënimi shkon deri në 2 vjet burgim), 3 vjet (deri në 10 vjet), 5 vjet (mbi 10 vjet).
Nëse pas rishikimit vendoset vazhdimi i mbajtjes së të dhënave, nis një periudhë e re rishikimi, ndërsa vendimi regjistrohet në një regjistër të posaçëm për qëllime kontrolli dhe verifikimi ligjshmërie.
Risi e rëndësishme është parashikimi i një sistemi elektronik sinjalizimi (alert), që lëshohet dy muaj para afatit të rishikimit të kohës së mbajtjes së të dhënave.
Nëse struktura përgjegjëse nuk ndërmerr veprime për rishikimin brenda afatit, të dhënat fshihen automatikisht. Departamenti i Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit ngarkohet me modifikimin e sistemeve për të garantuar respektimin e afateve, anonimizimin apo fshirjen e të dhënave.
Ky mekanizëm synon të shmangë mbajtjen e pakufizuar të të dhënave personale, një nga problematikat më të ndjeshme në praktikat e përpunimit për qëllime sigurie.
Subjektet e të dhënave gëzojnë të drejtën për informim, akses, korrigjim, fshirje ose kufizim të përpunimit, si dhe të drejtën për rishikim të përgjigjes, sipas ligjit nr. 124/2024. Kufizimi i këtyre të drejtave lejohet vetëm në rastet e parashikuara në ligj dhe kur është proporcional.
Kontrolli dhe monitorimi i zbatimit të udhëzimit i takon Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili gjatë inspektimeve përdor regjistrin e vendimeve për vazhdimin e mbajtjes së të dhënave për të verifikuar ligjshmërinë e tyre. Çdo shkelje e dispozitave parashikon përgjegjësi administrative dhe/ose penale për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Në një kohë kur përpunimi i të dhënave nga autoritetet e zbatimit të ligjit është nën vëzhgim të shtuar, ky udhëzim përbën një përpjekje për të harmonizuar praktikën policore me standardet moderne të mbrojtjes së të dhënave, duke futur: afate të qarta dhe të diferencuara ruajtjeje; rishikim periodik të domosdoshmërisë së mbajtjes; regjistër të posaçëm për kontroll; sinjalizim dhe fshirje automatike; detyrim për vlerësim të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave në rastet me rrezik të lartë.
Për sektorin e drejtësisë dhe sigurisë, por edhe për qytetarët, akti krijon një kuadër më të strukturuar për menaxhimin e informacionit personal në momentet më të ndjeshme të ndërveprimit me autoritetet – ndalimin dhe arrestimin – duke forcuar njëkohësisht llogaridhënien institucionale dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.







