Ballina Kronika Ndërtimet pa leje në Sarandë, Gjykata cakton masat sigurisë për oficerët e...

Ndërtimet pa leje në Sarandë, Gjykata cakton masat sigurisë për oficerët e policisë dhe ish-zyrtarë të IVMT

71
0

Prokuroria e Sarandës ka dhënë masa të reja sigurie në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje, duke vënë nën akuzë një oficer të Policisë Gjyqësore, ish-kryeinspektorin dhe disa ish-inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT).

Irakli Koçiaj – pezullim nga ushtrimi i detyrës publike, ndalim i daljes jashtë shtetit dhe detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.

Eduart Veli – masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, si edhe masën alternative “Garancia pasurore” në shumën 100 mijë lekë.

Romelio Kadëna – masën “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Ilia Gjika – masën “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Elvis Memushi – masën “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Njoftimi i plotë:

Në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, ndaj oficerit të policisë gjyqësore, ish-kryeinspektorit dhe ish-inspektorët e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), të akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë” kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe “Ndërtimi i paligjshëm’, parashikuar nga neni 248, 251, 25 dhe 50/h, si dhe 199/a/4 i K.Penal, u dhanë masat e reja të sigurimit.

Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë u paraqit kërkesë për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit dhe vijimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg’. Në vijim për këta shtetas u vendos:

– Caktimin ndaj personit nën hetim I.K, Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Sarandë, të masave të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;

– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim E.V, me detyrë ish-Kryeinspektor i IVMT Bashkia Sarandë, ‘Arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke u detyruar personit nën hetim E.V. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e tij.

– Caktimin si masë sigurimi alternaltive e masës “Arrest në shtëpi”, masën e sigurimit “Garancia pasurore” parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale, në shumën 100’000 (njëqind mijë) Lekë”;

– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim R.K. me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale;

– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim I.Gj, me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë; të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale; dhe

– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim E.M, me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.