Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë argumentet e tij në seancën paraprake këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku ka theksuar se dosja ndaj tij, është e bazuar vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime, e përgatitur prej gati 2 dekadash nga sekti sorosist, që ka kapur në mënyrë antikushtetuese Reformën në Drejtësi.
Në parashtirmet para trupës gjykuese në GJKKO, Meta ka deklaruar se kjo është arsyeja se përse Shqipëria është përkeqësuar me 11 vende në renditjen botërore nga Transparency International gjatë vitit të fundit.
‘Sepse Kreu i Organizatës Kriminale, jo vetëm ka garantuar paprekshmërinë e tij përmes kapjes së sistemit gjyqësor, por edhe e ka përdorur këtë të fundit si armë politike kundër kundërshtarëve të tij politikë’, ka theksuar Meta në nisje të fjalës së tij.
Sipas tij, rasti Meta është një rast që do të hyjë edhe në jurisprudencën europiane, si një ndër më skandalozët, ku standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 janë edhe vet standardet e hetimit, por edhe të paraburgimit për 16 muaj.
Meta nuk ka kursyer as ironinë për prodkurorët e SPAK, ‘për imagjinatën e tyre kafkiane’, duke u shprehur se në vitin 2026, nenet e Kodit Penal për agjitacion dhe organizatë kundër-revolucionare nuk ekzistojnë më.
‘Të vetmes organizatë, që unë i përkas, është ajo e 2 Marsit 2020, një organizatë patriotike, mbrojtëse e paepur e interesit kombëtar dhe e vendosur për të bërë çdo sakrificë, që i rikthen sovranitetin popullit shqiptar’, ka përmbyllur fjalën e tij, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.







