Ballina Kosovë ​LVV në diskutime me PDK për Projektligjin për Dhomat e Specializuara

​LVV në diskutime me PDK për Projektligjin për Dhomat e Specializuara

42
0

Lëvizja Vetëvendosje është duke zhvilluar diskutime me Partinë Demokratike të Kosovës për mënyrën se si do të vazhdohet me Projektligjin për Dhomat e Specializuara, i cili iu kthye Kuvendit nga presidentja Justina Shiroka-Pula.

Këtë e ka bërë të ditur sot shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se partia e saj nuk dëshiron të krijojë një situatë të re përplasjeje ndërmjet Presidencës dhe Kuvendit.

Ajo nënvizoi se praktika kushtetuese tregon që projektligji ose miratohet i njëjti ose kthehet në pikën zero dhe se sipas saj, i njëjti nuk mund të amendamentohet.

Megjithatë, ajo ka shprehur besimin se me PDK-në do të arrihet pajtueshmëri për hapat e mëtejmë lidhur me këtë projektligj.

“Ligji për Specialen nuk mund të amendamentohet”, Nagavci tregon si do të vazhdohet tutje

“Ne jemi duke diskutuar me PDK-në dhe kemi bërë të qartë se nuk është mirë të sjellim një situatë të re në mes të Presidencës dhe Kuvendit. Ndërkaq, sa i përket çështjeve përmbajtësore, besoj se do të arrihet një pajtueshmëri se si të vazhdohet tutje…Siç e dini, edhe grupi që po udhëhiqet nga zëvendëskryeministri (Glauk) Konjufca ka filluar punën dhe ata do të japin propozime më të mira në lidhje me adresimin në Apel. Aty do të diskutohen edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me projektligjin, të cilat e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amendamentohet. Ky është jo vetëm qëndrimi ynë, por edhe argumentet që tregojnë, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë besoj e ka të qartë edhe PDK-ja”, tha ajo.

E pyetur nga gazetarët për deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi, foli për mundësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Nagavci tha se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Qeverisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.

Ajo theksoi se ndryshimet politike në Serbi pas zgjedhjeve janë çështje e brendshme e këtij shteti, ndërsa shtoi se është herët të flitet për zhvillimet e ardhshme në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi ende nuk dihen qëndrimet e forcave të reja politike atje.

“Themelimi i Asociacionit pas fitores së studentëve në Serbi”, ky është qëndrimi i Nagavcit

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Qeverisë është ai që ka qenë, publik dhe transparent. Ne qëndrojmë në të njëjtin diskurs dhe qëndrim që kemi pasur përpara. Ndryshimet që kanë ndodhur në Serbi pas zgjedhjeve dhe fitorja e forcave të reja politike janë çështje e brendshme e Serbisë. Ndërkaq, në raport me Kosovën dhe diskutimet e mëtejshme, është herët të flitet, pasi ne nuk e dimë se cilat janë qëndrimet. Por qëndrimet e Kosovës janë ato që i kemi pasur”, përfundoi ajo.

Kujtojmë, kryeministri Albin Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, ngase për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është rrëzuar nga Kushtetuesja pasi është në kundërshtim me 23 nene.