Ballina Aktualitet Apeli lë jashtë Pacollin nga administrimi i Aeroportit të Vlorës deri në...

Apeli lë jashtë Pacollin nga administrimi i Aeroportit të Vlorës deri në vendimin përfundimtar

88
0

Aventura financiare e lidhur me kredinë e marrë nga fondi Delphos duket se po i kushton shtrenjtë biznesmenit Behgjet Pacolli. Gjykata e Apelit e Tiranës vendosi këtë të enjte të lërë në fuqi masën e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e përjashtuar përkohësisht kompaninë e tij, Mabco S.A., nga e drejta e votës dhe administrimit në shoqërinë koncesionare të Aeroportit të Vlorës.

Vendimi e lë administrimin e shoqërisë Vlora International Airport (VIA) në dorën e aksionarit tjetër, biznesmenit Valon Ademi, deri në shqyrtimin në themel të konfliktit për aksionet.

Konflikti
Përplasja mes dy aksionarëve u bë publike verën e kaluar dhe lidhet me kontrollin e koncesionarit që po ndërton aeroportin e Vlorës. Debati u thellua pasi doli në dritë se Mabco kishte marrë një kredi prej 100 milionë eurosh nga fondi luksemburgas Delphos Compartment Bernina.

Sipas pretendimeve të Ademit, marrëveshja e kredisë parashikonte përfshirjen e Aeroportit të Vlorës si huamarrës shtesë, çka do të linte peng fluksin e të ardhurave të aeroportit. Ademi ka akuzuar Pacollin se veproi në fshehtësi dhe në kundërshtim me ligjin.

Për këtë arsye, ai iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë duke kërkuar pezullimin e së drejtës së votës së Mabco-s dhe përjashtimin e saj nga vendimmarrja deri në zgjidhjen e konfliktit në themel. Gjykata e pranoi kërkesën — vendim që tashmë është konfirmuar edhe nga Apeli.

Reagimi dhe beteja ligjore
Pas vendimit të shkallës së parë, Pacolli reagoi publikisht duke pretenduar se po i merrej kompania, ndonëse sipas tij zotëron 98% të aksioneve.

Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi ta lërë në fuqi masën e sigurimit të padisë, duke bllokuar përkohësisht mundësinë që aeroporti të përfshihet në skemën e kredisë së Delphos — fond që Ademi e ka akuzuar për lidhje ruse.

Çështja e aksioneve
Në qendër të betejës mbetet struktura e pronësisë në koncesionarin VIA. Kompania “2A Group” pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të Mabco-s përmes një kontrate shitblerjeje.

Mabco e kundërshton vlefshmërinë e kësaj marrëveshjeje, duke argumentuar se transferimi nuk prodhon pasoja juridike pa miratimin e autoritetit kontraktor, në këtë rast Ministrisë së Infrastrukturës.

Përplasja tashmë pritet të zgjidhet në gjykimin në themel, ndërsa deri atëherë administrimi i aeroportit mbetet jashtë kontrollit të kompanisë së Pacollit.