Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 9 të tjerë janë plagosur pas një sulmi të armatosur që tronditi mbrëmjen e së martës zonën e Clevelandit, në lindje të Johanesburgut, sipas autoriteteve të policisë së Afrikës së Jugut.
Nga viktimat, tetë janë burra dhe tre gra, të cilët u gjetën pa shenja jete në vendngjarje. Një burrë tjetër ndërroi jetë më vonë në spital, si pasojë e plagëve të rënda. Ndërkohë, të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në qendrat spitalore.
Sipas hetimeve paraprake, një grup prej më shumë se dhjetë personash të armatosur mbërriti në zonë me një furgon të bardhë tip Toyota Quantum. Të dyshuarit hynë në vendbanimin informal nga drejtime të ndryshme dhe nisën të qëllonin ndaj banorëve në disa pika të lagjes. Pas sulmit, autorët u larguan me të njëjtin automjet, ndërsa forcat e rendit mbërritën në vendngjarje për të nisur hetimet.
Deri tani nuk dihen motivet që çuan në këtë masakër dhe nuk është bërë asnjë arrestim. Policia ka vënë në lëvizje një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.







