Ballina Aktualitet Koçiu: 65 milionë euro pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2025

Koçiu: 65 milionë euro pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2025

105
0

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një konferencë për shtyp sot, 20 shkurt. Ajo bëri me dije se gjatë vitit të kaluar, janë sekuestruar dhe konfiskuar 65 milionë euro asete dhe pasuri si rezultat i punës së përbashkët të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, me një vlerë totale mbi 6 miliardë lekë. Prej tyre, 64 pasuri janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me impakt social dhe shërbime direkte për komunitetin, si dhe janë vënë në dispozicion të 20 institucioneve publike për realizimin e programeve të tyre. Gjithashtu, është krijuar baza ligjore për transferimin e pronave të konfiskuara në pushtetin vendor për strehimin e personave në nevojë, si dhe për ngritjen e qendrave sociale apo rezidenciale për viktimat e dhunës, krimit dhe trafikimit”, tha Koçiu.

Këto pasuri janë administruar në mënyrë efektive nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK, nën drejtimin e Risena Xhajës. Ministrja deklaroi se do të ketë larmishmëri se si asetet e sekuestruara nga krimi do të përdoren në të mirë të komunitetit.

“Kjo do jetë prioritet në punët e Ministrisë së Brendshme”, tha Koçiu.

Ministrja njoftoi gjithashtu hapjen e një thirrjeje publike për organizatat e shoqërisë civile dhe OJF-të, me qëllim përfitimin e aseteve të konfiskuara për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve. Në vijim, Ministria e Punëve të Brendshme po punon për të zgjeruar këtë mekanizëm, duke synuar financimin e projekteve për të rinjtë, veçanërisht për ata që janë dëmtuar apo shfrytëzuar nga krimi, me fokus fuqizimin, rehabilitimin dhe largimin e tyre nga rrugët e paligjshmërisë. Mes atyre që do të përfitojnë janë edhe familjet e dëshmorëve të policisë.

“Po këto pasuri kemi vendosur ti vemë edhe në dispozicion të familjeve që kanë një dëshmor ose punonjës policie që ka humbur jetën në detyrë. Është detyrimi ligjor për tu ofruar banesë falas familjeve dhe këto aseteve do të përdoren për të mbështetur familjet e policëve të rënë në krye të detyrës”, tha ministrja.