Ballina Aktualitet Në burg për korrupsion zgjedhor dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore për llogari...

Në burg për korrupsion zgjedhor dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore për llogari të krimit, lirohet ish-deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja

89
0

Gjykata e Posaçme liroi nga qelia ish-deputetin e PS në Shijak, Jurgis Çyrbja. Vendimi është marrë mëngjesin e sotëm, (21 shkurt) pasi GJKKO  pranoi kërkesën e Jurgis Çyrbjas, për shuarjen e masës së sigurisë.

E njëjta kërkesë u depozitua në gjykatë ditën e djeshme, por trupi gjykues nuk e pranoi atë pasi ish-deputeti sipas gjykatës duhet të qëndronte edhe disa orë në burg, që të përmbushej plotësisht baza ligjore.

Çyrbja bleu vota, sekretin shtetëror ua përcillte kriminelëve

Më 3 nëntor 2025 Gjykata e Posaçme, deklaroi fajtor ish-deputetin e Partisë Socialiste, dhe e dënoi me 3 vite burg për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Çyrbja do të vuante 2 vite burg. Gjykata vendosi gjithashtu dënimin e të pandehurit Altin Hajri, një personazh i dyshuar për krim të organizuar me 3 vjet burg, ndërsa për të pandehurin tjetër, Ahmet Masha u caktua një dënim prej 2.6 vitesh burg.

Sipas prokurorit Adnan Xholi,  ish-deputeti Jurgis Çyrbja kishte konsumuar në tetë raste veprën penale tregtim i sekretit shtetëror, në pesë raste veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit si dhe korrupsion zgjedhor në mars të vitit 2021. Por pavarësisht episodeve të shumta, u kërkua  dënimi përfundimtar i Çyrbjas me 2 vjet burg në aplikim të gjykimit të shkurtuar.

E njëjta masë dënimi u kërkua dhe për të pandehurin Altin Hajri, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim në një rast.  Për të pandehurin tjetër, Ahmet Masha u kërkua dënimi me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim në një rast dhe  “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar u kërkua dënimi i tij me 1 vit e 8 muaj heqje lirie.

Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha u arrestuan në tetor të 2024, duke zbuluar lidhje të thella dhe bashkëjetesë mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.

Si bëhej lista e deputetëve

Bisedat e në SKY ECC të Jurgis Çyrbes, ish-deputetit të Shijakut të publikuara në media zbuluan se disa prej emrave më të njohur të krimit në Durrës, që SPAK i hetonte për vrasje rezultuan të ishin njerëzit kyç në caktimin e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2021.

Çyrbja ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC me kodin “BFLSII” dhe thirrej shkurt si “J”, “Jur” dhe “Juri” në bisedat që ka administruar SPAK.

Periudha e bisedave përkon me fundin e vitit 2020 dhe muajt e parë të vitit 2021, kohë në të cilën Jurgis Çyrbja priste të mësonte, ashtu si shumë socialistë të tjerë nëse kryetari, Edi Rama do ta kandidonte në Durrës si deputet dhe në ç’vend do ta rendiste

Bisedat që SPAK ka në dosje janë të datave 17 dhjetor 2020 deri në 7 mars 2021, pra disa muaj para hartimit të listave për kandidatët për deputetë.

Në datën 22 shkurt 2021, Altin Hajri, person i shpallur në kërkim për vrasje, i bën Jurgis Çyrbjas llogaritë e votave në Shijak.

“…3 mijë do ti jap unë, maje men. Thash Rromanat, Arapaj, Maskuri Zonat tona janë për “J” (Jurin) i thash. Po futem vet tha ma mirë hahaha Mond Ç (Mond Çekiçi). Gjithë grupet i thashë, po del mirë e burrë. Ne marim 4 mijë vota Bashkinë Shijak, gjithë bashkë. Po e burr Xhavzotën E kena blindu Gjepalen po Shijak…”.

Në bisedën e datës 1 Mars 2021, sërish Altin Hajri, i dërgon Jurgis Çyrbjes një numër telefoni, duke i përmendur ndihmën që do të kishin nga persona të tjerë.

…Po fola pak me Nikun dhe ai nm që të pruna jan këto dibronet…. Plus do fol dhe me Lentin. Çekiçi është ok…”-i shkruan Altin Hajri, zyrtarit të PS.

Në bisedën e datës 7 mars 2021 Altin Hajri njofton Jurgis Çyrbjen se kishte marrë garanci se ai dhe “liri” do jetë kandidati i vendosur në listën për deputet i katërti ose i pesti, duke nënkuptuar kandidatin tjetër të Qarkut të Durrësit, Ilir Ndraxhi.

Hajri kishte siguruar të gjithë listën e kandidatëve të Durrësit në telefonin e tij para deputetit. Madje kandidati e mëson kur Altin Hajri ia nis në SKY ECC.

Përveç bisedave me Altin Hajrin, SPAK ka zbuluar edhe komunikimin direkt të Jurgis Çyrbjes me Edmond Çekiçin, i cili u vra disa muaj pas zgjedhjeve. Edhe ky del garant se Çyrbja do të ishte në listë në vendin e 5.