Një 49-vjeçare, administratorja e një subjekti që dyshohet se ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor pa licencën përkatëse dhe fshihte të ardhurat e përfituara, ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në kuadër të këtij operacioni, ka sekuestruar rreth 40 mijë euro në valuta të ndryshme dhe një njësi kompjuterike, nga e cila rezulton se subjekti ka qarkulluar rreth 2 milionë euro.
Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Bilanci”.
Ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor pa licencën përkatëse dhe fshihte të ardhurat e përfituara, arrestohet administratorja e subjektit.
Sekuestrohen rreth 40 000 euro në valuta të ndryshme dhe një njësi kompjuterike, nga e cila rezulton se subjekti ka qarkulluar rreth 2 000 000 euro.
Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Bilanci”.
Nga kontrolli i ushtruar në subjektin në administrim të shtetases G. T., rezultoi se kjo shtetase ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor pa licencën përkatëse dhe nuk deklaronte të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases G. T., 49 vjeçe, banuese në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.







