Ballina Aktualitet Pas segmentit rrugor në Librazhd, dëmtohen rëndë shtylla e Tensionit të Lartë...

Pas segmentit rrugor në Librazhd, dëmtohen rëndë shtylla e Tensionit të Lartë dhe traseja e hekurudhës

102
0

Rrëshqitjet e dheut në zonën “Arrat e Gurrës”, në Dragostunjë të Librazhd, kanë shkaktuar dëmtime në disa segmente infrastrukturore, duke prekur rrugën kombëtare, një shtyllë të tensionit të lartë dhe një pjesë të linjës hekurudhore.

Sipas informacioneve paraprake, është dëmtuar segmenti rrugor në aksin që lidh Librazhdin me Prrenjas, si dhe zona e aksit Qukës–Qafë Plloçë. Po ashtu, është konstatuar dëmtim në bazamentin e një shtylle 110 kV, e cila është pjesë e rrjetit të transmetimit të energjisë.

Rrëshqitjet kanë prekur edhe një segment të linjës hekurudhore Elbasan–Librazhd–Prrenjas–Gur i Kuq, konkretisht në pjesën Librazhd–Xhyrë, ku janë evidentuar deformime të trasesë dhe zhvendosje të shinave. Për pasojë, qarkullimi hekurudhor në këtë segment është ndërprerë përkohësisht.

Segmenti i prekur ndodhet paralel me rrugën automobilistike dhe pranë lumit Shkumbin. Specialistët po ndjekin nga afër situatën për të vlerësuar stabilitetin e terrenit dhe për të përcaktuar masat që duhen ndërmarrë.

Autoritetet pritet të hartojnë plan ndërhyrjeje për riparimin e dëmeve dhe rikthimin gradual të funksionalitetit të segmenteve të prekura.