Daniela Zisi
Nesër, Edi Rama pritet të vijë në Korçë për të parë nga afër “Kompleksin e Dijes”. Vizita është planifikuar me kujdes. Gjithçka është gati. Përveç një detaji të vogël: rrugës.
Që prej së shtunës, Korça është praktikisht në izolim për shkak të dëmtimit të aksit Librazhd- Pogradec. Lëvizja drejt Tiranës është kthyer në torturë, ndërsa qytetarët luten që të mos kenë ndonjë urgjencë shëndetësore, sepse zgjidhja e vetme duket se mbetet Greqia.
Në kushtet kur rruga e Librazhdit do edhe disa ditë të hapet, pyetja qe na mundon është: Si do të vijë Rama në Korçë?
Nga Leskoviku dhe Erseka? Një udhëtim panoramik mbi asfalt të çarë dhe ura të dëmtuara, plus një dosje në SPAK për cilësinë e punimeve.
Nga Gramshi? Rruga 13 milionëshe Maliq-Lozhan – Strelcë që po shkatërrohet para se të festojë përvjetorin, është e ngushtë dhe e rrezikshme.
Nga Maqedonia e Veriut? Një hyrje diplomatike. Ndoshta është më praktike të hysh në Korçë nga jashtë territorit se nga brenda tij.
Nga Greqia? Një kthesë me vlerë metaforike.
Ose ndoshta me rrugë ajrore ? Pse jo. Aeroporti i Lumalasit është në funksion të plotë.
Pyetja mbetet e hapur dhe mendimi juaj vlen shumë: Nga mendoni se do të kalojë Rama pêr të ardhur në Korçë ?
Apo nuk do vijë fare, se nuk ka nga të kalojë ?







