Ballina Kronika Masakra me 4 viktima në Shkodër, Apeli heq masën e pezullimit nga...

Masakra me 4 viktima në Shkodër, Apeli heq masën e pezullimit nga detyra për 4 efektivët

42
0

Gjykata e Apelit ka vendosur të heqë masën e pezullimit nga detyra për katër efektivët e “Shqiponjave” në Shkodër, të cilët dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar personin e paidentifikuar, i dyshuar si Ibrahim Lici, pjesë e masakrës së 30 tetorit 2024. Masakra shkaktoi katër viktima, përfshirë dy qytetarë të pafajshëm.

Po ashtu, Apeli ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkodrës dhe ka hequr masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për ta. Katër efektivët e dyshuar për shpërdorim detyre do të hetohen në gjendje të lirë, me masë sigurie “detyrim paraqitjeje.”

Arrestimi i katër policëve, dy patrullues dhe dy të “Shqiponjave,” ndodhi më 20 nëntor 2024 nga AMP, pas dyshimeve se ata nuk siguruan vendin e ngjarjes për shoqërimin e personave për verifikim. Hetimi i AMP-së filloi pas publikimit të një videoje, ku shfaqej një person i dyshuar si Ibrahim Lici, pranë trupit të pajetë të vëllait të tij, Hamza Lici, dhe pranë tij ndodhej edhe një polic i “Shqiponjave.”

Një person i tretë në makinën e viktimave, që mbeti i plagosur në masakrën e Dobraçit, mendohet të ketë qenë shënjestra kryesore e atentatorëve. Pas ngjarjes, dyshohet se ai ka lëvizur nga Shkodra drejt jugut të vendit për t’u mjekuar.