Ballina Ekonomia Mbështetje për fermerët, ja detajet e reja nga ministria

Mbështetje për fermerët, ja detajet e reja nga ministria

76
0

Ministria e Bujqësisë brenda muajit shkurt do të prezantojë skemën kombëtare të mbështetjes ndaj fermerëve. Kjo skeme ka një buxhet prej 5.2 miliard lekë për vitin 2026.

Ministri Andis Salla në një intervistë televizive tha se skema do të mbështet në dy risi.

“Në turet që kemi patur me fermerët na është kërkuar më shumë mbështetje për degën e blegtorisë. Ndaj këtë viti skema parashikon një mbështetje financiare deri në 10 mijë euro për çdo të ri që kërkon të investojë në këtë fushë. Por ne do të rrisim dhe masën e mbështetjes për të gjithë ata blegtorë që janë pjesë e skemës kombëtare. Masa e dytë është ajo e mbrojtjes biologjike. Ne do të mbështesim çdo fermer që do të prodhojë në mënyrë biologjike produktet e tij, pa përdorur pesticide. Masat dhe shuma e mbështetjes janë në fazën finale të diskutimeve”, sqaroi ministri.

Një nga çështjet më të debatuara në turet me fermerët sipas ministrit ka qenë skema e naftës pa taksa që jepet në bujqësi. Aktualisht kjo skemë ka devijime duke mos përfunduar kjo mbështetje tek fermeri që punon tokën.

“Kjo është tema më diskutuar nga fermerët. Kemi marrë çdo sugjerim prej tyre. Jemi në fazën finale të rikonceptimit të kësaj skeme, e cila ka hasur vështirësi në çështjet e pronësisë. Qëllimi që duam të arrijmë është që kjo nafta të shkojë tek ai që punon tokën”, tha Salla.

Ministri përforcoi qëndrimin e tij se brenda 6-mujorit të parë të këtij viti do të hapen fondet e IPARD 3.

“Unë ju sigurojë që brenda këtij 6-mujori fondet e këtij programi do të jenë efektive. Ne paralelisht po dizenjojmë edhe masat që do të mbështeten me këto fonde, duke ofruar për fermerët tanë edhe 112 milion euro shtesë nga ky program”, përfundoi Salla.

Fondet e programit IPARD 3 kanë rreth 3 vite të bllokuara, pasi u konstatua se kishte keqpërdorime të tyre nëpërmjet korrupsionit