Dezinformimi mediatik, etiketimi i papërgjegjshëm i Shqipërisë dhe kufiri i humbur ndërmjet gazetarisë dhe propagandës.
Nga Isuf B.Bajrami
Ekziston një kufi që gazetaria nuk duhet ta kalojë kurrë: kufiri ndërmjet një pretendimi dhe një fakti. Kur ky kufi zhduket, gazetaria pushon së qeni instrument informimi dhe shndërrohet në mekanizëm të prodhimit dhe shpërndarjes së dezinformimit.
Pikërisht këtë problem e nxori në pah historia e sulmit me dronë detarë ukrainas kundër mjeteve detare ruse në Bengazi të Libisë, ku, pa asnjë provë publike të verifikueshme, Vlora dhe Shqipëria u paraqitën në disa raportime si pikënisje e një operacioni ushtarak kundër Rusisë.
Nuk bëhet fjalë për një pasaktësi të zakonshme në një lajm periferik. Bëhet fjalë për një pretendim me implikime të rënda ndërkombëtare, i cili, nëse do të ishte i vërtetë, do ta vendoste Shqipërinë në një pozitë jashtëzakonisht të ndjeshme politike, diplomatike dhe të sigurisë.
Për këtë arsye, publikimi i tij pa prova nuk është thjesht mungesë kujdesi. Është papërgjegjësi serioze mediatike.
PARADOKSI: UKRAINA FLET PËR ANIJEN-MËMË, DISA PORTALE E NISIN OPERACIONIN NGA VLORA
Ironia e kësaj historie qëndron pikërisht te deklarimet e vetë palës ukrainase.
Presidenti Volodymyr Zelensky e konfirmoi operacionin dhe përdorimin e shtatë dronëve detarë ukrainas kundër objektivave ruse në brigjet e Libisë. Ndërkaq, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), në komunikimin e tij zyrtar, dha një hollësi me rëndësi thelbësore: shtatë mjetet detare pa ekuipazh u transportuan në zonën e përcaktuar dhe u lëshuan prej një anijeje-mëmë (mother ship).¹
Ky është një informacion konkret, i dhënë nga vetë institucioni ukrainas që pretendon autorësinë e operacionit.
Por ku ndodhej kjo anije? Nën çfarë flamuri lundronte? Kush ishte pronari apo operatori i saj? Nga cili port ishte nisur? Cila ishte rruga e saj detare dhe në cilin sektor u lëshuan dronët?
Këto janë pyetjet thelbësore që mbeten pa përgjigje në informacionin publik të SBU-së.
Dhe pikërisht këtu fillon problemi me disa raportime që e shpallën Vlorën si pikënisje.
Nëse vetë pala ukrainase flet për një anije-mëmë që transportoi dhe lëshoi dronët në zonën e operacionit, atëherë mbi çfarë të dhënash konkrete u përcaktua se kjo anije ishte nisur nga Vlora? Ku janë gjurmët e lundrimit? Ku janë koordinatat? Ku janë pamjet satelitore? Ku është identifikimi i anijes?
Asnjëra prej këtyre provave nuk u bë publike nga burimet që e përhapën pretendimin për Shqipërinë.
Një hartë me një vijë të vizatuar nga Vlora drejt Libisë nuk është provë. Një burim anonim nuk është konfirmim. Dhe një pretendim i përsëritur nga disa platforma nuk shndërrohet në të vërtetë vetëm për shkak të numrit të publikimeve.
KU ISHTE ANIJEN-MËMË? NJË PYETJE QË NUK MUND TË ZËVENDËSOHET ME HAMENDËSIME
Për të kuptuar përmasat e këtij operacioni, duhet të sqarohet edhe natyra e mjeteve të përdorura.
Dronët detarë ukrainas nuk janë dronë të zakonshëm fluturues. Janë mjete lundruese pa ekuipazh, të projektuara për të operuar në sipërfaqen e ujit, të pajisura me sisteme navigimi, komunikimi dhe kontrolli. Modelet e njohura ukrainase, përfshirë familjen Sea Baby, janë pjesë e zhvillimit të një doktrine të re të luftës detare, ku mjetet relativisht të vogla mund të godasin objektiva shumë më të mëdha.
Në operacionin e Bengazit, sipas SBU-së, këto mjete u transportuan me një anije-mëmë dhe u lëshuan prej saj. Kjo është e rëndësishme sepse vendi ku ndodhej anija-mëmë nuk është domosdoshmërisht vendi ku filloi udhëtimi i dronëve drejt objektivave.
Për këtë arsye, identifikimi i anijes dhe rindërtimi i itinerarit të saj janë elemente vendimtare për përcaktimin e origjinës së operacionit.
Associated Press raportoi edhe një version tjetër, duke cituar zyrtarë ushtarakë libianë të paidentifikuar, sipas të cilëve dronët mund të ishin nisur nga një bazë e përdorur nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore.²
Ndërkaq, autoritetet e Libisë lindore kërkuan hetim për dyshimet mbi origjinën e mjeteve dhe praninë e ekspertëve ushtarakë ukrainas në pjesën perëndimore të vendit.³
As ky version nuk përbën ende një përfundim të pavarur përfundimtar. Por është një pistë konkrete e raportuar nga një agjenci ndërkombëtare, e cila duhej shqyrtuar përpara se Shqipëria të shpallej si vendnisje.
Pra, ekzistojnë pyetje të hapura për itinerarin, anijen transportuese dhe pikën e lëshimit. Ajo që nuk ekziston është një provë publike që e lidh Vlorën me këtë operacion.
SI U KRIJUA DHE U PËRHAP PRETENDIMI PËR Vlorën?
Sipas verifikimit të publikuar nga Albanian Insider Agency, pretendimi për Shqipërinë u përhap fillimisht nga platforma Clash Report, e cila iu referua një burimi të paidentifikuar. Më pas, versioni u përcoll edhe nga platforma Visioner, ku u shfaq një hartë që e paraqiste Vlorën si pikënisje të pretenduar të dronëve.⁴
Këtu qëndron një nga problemet më serioze të këtij rasti.
Burimi fillestar nuk u identifikua. Nuk u publikua ndonjë dokument që të vërtetonte pretendimin. Nuk u paraqit ndonjë gjurmim detar i verifikueshëm. Nuk u identifikua anija-mëmë. Megjithatë, informacioni filloi të qarkullonte sikur vendnisja nga Shqipëria të ishte një fakt i konfirmuar.
Më pas erdhi faza e dytë: amplifikimi mediatik.
Disa portale e morën pretendimin, e vendosën në tituj të mëdhenj, i shtuan tone alarmuese dhe e paraqitën Vlorën si pikënisje të operacionit. Rezultati ishte krijimi i një perceptimi publik që nuk mbështetej në prova.
Kjo është një praktikë e papranueshme.
Një redaksi profesionale nuk mund ta zëvendësojë verifikimin me kopjimin. Nuk mund ta trajtojë një postim në rrjetet sociale si dokument zyrtar dhe as ta kthejë një burim anonim në autoritet faktik.
Mbi të gjitha, nuk mund të fshihet përgjegjësia pas justifikimit se lajmi ishte publikuar edhe nga të tjerët.
Kur dhjetë portale përsërisin të njëjtin pretendim të pakonfirmuar, nuk kemi dhjetë burime të pavarura. Kemi një pretendim të vetëm, të shumëfishuar dhjetë herë.
KUR SENSACIONALIZMI MEDIATIK DËMТON INTERESIN SHTETËROR
Të publikosh se një operacion ukrainas kundër një anijeje ruse është nisur nga territori shqiptar nuk është njësoj si të publikosh një lajm të zakonshëm për lëvizjen e anijeve në Mesdhe.
Ky pretendim i atribuon Shqipërisë një rol konkret në një konflikt ndërmjet dy shteteve ndërluftuese. E vendos vendin në një kontekst të drejtpërdrejtë përballjeje me interesat ruse dhe krijon mundësi për interpretime me pasoja diplomatike e të sigurisë.
Shqipëria është anëtare e NATO-s. Për këtë arsye, çdo pretendim për përdorimin e territorit të saj në një operacion ushtarak kundër një fuqie të madhe ka ndjeshmëri të veçantë.
Çfarë përgjegjësie merr një portal kur publikon një pretendim të tillë pa prova? A e kupton redaksia se lajmi mund të përkthehet, të citohet dhe të përdoret nga mediat e huaja? A e kupton se një titull i papërgjegjshëm mund të shndërrohet në material propagandistik për aktorë që kanë interes ta paraqesin Shqipërinë si pjesëmarrëse në një operacion kundër Rusisë?
Këto nuk janë pyetje retorike pa peshë. Janë pyetje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë informative të një shteti.
Dezinformimi nuk ka nevojë gjithmonë për një lajm tërësisht të shpikur. Mjafton një ngjarje e vërtetë, së cilës i bashkëngjitet një element i pakonfirmuar dhe më pas ky element paraqitet si fakt.
Në këtë rast, sulmi në Bengazi ishte real. Përgjegjësinë për operacionin e mori Ukraina. Përdorimi i anijes-mëmë u konfirmua nga SBU-ja. Por lidhja me Vlorën mbeti një pretendim pa prova publike.
Pikërisht ky manipulim i kufirit ndërmjet faktit dhe pretendimit krijon terren për dezinformim të opinionit publik.
Nëse një narrativë e tillë do të përdorej qëllimisht për të dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, do të kishim një instrument të mundshëm të luftës hibride. Edhe në mungesë të provave për një fushatë të koordinuar, efekti i publikimeve të pakontrolluara mund të jetë i ngjashëm: krijimi i dyshimit, prodhimi i pasigurisë dhe dëmtimi i besueshmërisë së vendit.
SHQIPËRIA NUK ËSHTË OBJEKT QË MUND TË ETIKETOHET SIPAS NJË HARTËJE NË RRJETE SOCIALE
Më 23 nëntor 2026, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i hodhi poshtë pretendimet për përdorimin e territorit shqiptar në këtë operacion. Ministria e Mbrojtjes deklaroi gjithashtu se Forcat e Armatosura shqiptare nuk kishin kryer, nuk kishin marrë pjesë dhe nuk kishin ofruar mbështetje për një operacion të tillë.⁵
Këto janë qëndrime zyrtare që duhen përfshirë në çdo raportim të përgjegjshëm.
Sigurisht, deklaratat e institucioneve nuk e zëvendësojnë transparencën dhe verifikimin e pavarur. Por as pretendimet e burimeve anonime nuk mund të kenë epërsi automatike ndaj qëndrimeve zyrtare, sidomos kur nuk shoqërohen me prova.
Barra e provës i takon atij që pretendon.
Nëse Clash Report apo ndonjë platformë tjetër ka informacione konkrete se dronët janë nisur nga Vlora, le t’i publikojë ato. Le të identifikojë anijen-mëmë, itinerarin, koordinatat dhe burimin e informacionit. Le të paraqesë materialet që mund të kontrollohen nga ekspertë të pavarur.
Në të kundërt, duhet të korrigjojë publikimin dhe të kërkojë falje për paraqitjen e një pretendimi të pakonfirmuar si fakt.
E njëjta përgjegjësi vlen edhe për portalet që e kanë shumëfishuar lajmin pa bërë verifikimin minimal profesional.
Nuk është detyrë e Shqipërisë të përgënjeshtrojë çdo fantazi të prodhuar në rrjetet sociale. Është detyrë e mediave të mos e shndërrojnë fantazinë në lajm.
NJË PYETJE PËR GAZETARINË SHQIPTARE
Nëse vetë Ukraina deklaron se dronët janë transportuar dhe lëshuar nga një anije-mëmë, nëse burime ndërkombëtare raportojnë edhe pista të tjera për origjinën e operacionit dhe nëse asnjë provë publike nuk e lidh Vlorën me të, atëherë si mund të justifikohet publikimi i titujve që e shpallin qytetin shqiptar pikënisje të sulmit?
A është ky gazetari apo tregti me frikën dhe pasigurinë e publikut?
A është informim apo prodhim i një narrative që mund të dëmtojë interesat e vendit?
Dhe, mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi kur një pretendim i tillë shpërndahet në dhjetëra platforma, përkthehet në gjuhë të huaja dhe përfundon si informacion i gatshëm për t’u përdorur në luftën propagandistike ndërkombëtare?
Këtu nuk kërkohet patriotizëm mediatik dhe as heshtje ndaj lajmeve që mund të jenë të pakëndshme për qeverinë. Kërkohet diçka shumë më elementare: profesionalizëm, integritet dhe respekt për të vërtetën.
Kritika ndaj institucioneve është detyrë e medias. Por shpifja, etiketimi pa prova dhe prodhimi i panikut nuk janë gazetari kritike.
PËRFUNDIM
VLORA NUK MUND TË BËHET PIKËNISJE E NJË LUFTE VETËM ME NJË TITULL
Rasti i dronëve ukrainas në Libi duhet të shërbejë si një alarm për mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni në hapësirën tonë mediatike.
Në një kohë kur lufta zhvillohet jo vetëm me armë, por edhe me informacion, perceptim dhe manipulim, një pretendim i pakonfirmuar mund të marrë përmasa shumë më të mëdha sesa synimi fillestar i atij që e publikon.
Shqipëria nuk duhet të jetë indiferente ndaj kësaj dukurie. As institucionet, as mediat dhe as opinioni publik.
Nuk ka asgjë të keqe të hetohet nëse një operacion ushtarak ka pasur ndonjë lidhje me territorin shqiptar. E keqja fillon kur përfundimi shpallet përpara se të paraqitet prova.
Nuk ka asgjë të keqe të raportohet një pretendim ndërkombëtar. E papranueshme është që pretendimi të shitet si e vërtetë.
Dhe nuk ka asgjë të keqe të kërkohet transparencë nga shteti shqiptar. Por është e papranueshme që Shqipëria të etiketohet si bazë e një operacioni ushtarak ndërkombëtar mbi bazën e një burimi anonim dhe të një harte pa prova.
Një shtet nuk mund të vendoset në konflikt me një fuqi të madhe përmes titujve sensacionalë. Një qytet nuk mund të shpallet bazë ushtarake me një grafikë në rrjetet sociale. Dhe e vërteta nuk mund të zëvendësohet me përsëritjen e një pretendimi.
Vlora meriton fakte, jo etiketime. Shqipëria meriton informim të përgjegjshëm, jo dezinformim. Ndërsa gazetaria, nëse dëshiron të ruajë besueshmërinë e saj, duhet të kuptojë se përgjegjësia për fjalën e publikuar është po aq e rëndësishme sa vetë liria për ta publikuar atë.
Fusnotat,
1. Security Service of Ukraine (SBU), deklarata për operacionin me shtatë mjete detare pa ekuipazh, transportimin dhe lëshimin e tyre nga një anije-mëmë, 23 nëntor 2026. E raportuar nga ABC News: ABC News – Ukrainian naval drones sank Russia’s Merkury warship in Libya.
2. Associated Press, raportimi mbi sulmin në Bengazi dhe deklaratat e zyrtarëve ushtarakë libianë për mundësinë e nisjes së mjeteve nga një bazë e përdorur nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore, 23 nëntor 2026. Associated Press – Zelenskyy hails Ukraine’s attack on a Russian warship docked at a naval base in Libya.
3. Reuters, raportimi mbi sulmin ndaj korvetës ruse Merkury, kërkesën e autoriteteve të Libisë lindore për hetim dhe dyshimet mbi origjinën e operacionit, 23 nëntor 2026. Reuters – Ukraine sinks Russian warship in Libya as conflict spreads beyond Europe.
4. Albanian Insider Agency, “Dronë nga Vlora kundër anijes ruse? Si u përhap pretendimi pa prova për Shqipërinë”, 23 nëntor 2026. Analizë e burimit fillestar Clash Report dhe përhapjes së pretendimit nga platforma Visioner. Albanian Insider Agency – Verifikimi i pretendimit për Vlorën.
5. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, reagimi zyrtar i 23 nëntorit 2026 mbi pretendimet për përdorimin e territorit shqiptar në operacionin me dronë. Deklarata zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Për qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura: RTSH – Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes.
6. Radio Evropa e Lirë (RFE/RL), raportimi mbi operacionin ukrainas kundër mjeteve detare ruse në brigjet e Libisë, deklaratat e Zelenskyt dhe informacionet e SBU-së, 23 nëntor 2026. RFE/RL – Zelenskyy Confirms Ukraine Struck Russian Warship Near Benghazi.







