Nga Klevis Elezi
Ngjarjet dhe debatet e fundit publike më kanë shtyrë të reflektoj mbi një element themelor të çdo demokracie funksionale: besimin e qytetarëve tek institucionet.
Ashtu si në biznes apo në industrinë detare, edhe në qeverisje reputacioni nuk ndërtohet me deklarata, por me rezultate. Besimi publik është kapitali më i rëndësishëm i një shteti dhe ai fitohet ngadalë, por mund të humbasë shumë shpejt.
Shqipëria ka kaluar gjatë viteve të fundit një proces të thellë reformash në drejtësi, ndërsa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka mbetur një nga sfidat kryesore të vendit. Institucionet e reja të drejtësisë kanë sjellë një dinamikë të re, por pritshmëritë e qytetarëve mbeten të larta.
Nga ana tjetër, raportet ndërkombëtare vazhdojnë të theksojnë se korrupsioni, transparenca dhe forcimi i shtetit të së drejtës mbeten fusha ku kërkohet progres i mëtejshëm.
Historia politike na mëson se asnjë institucion nuk mund të mbështetet vetëm te perceptimi. Besimi ndërtohet kur qytetarët shohin standarde të njëjta për të gjithë, pavarësisht pushtetit, pozitës apo ndikimit politik.
Një element i rëndësishëm në këtë proces është koha. Hetimet që zgjasin shumë krijojnë pritshmëri, por edhe pasiguri. Ndërsa hetimet që përfundojnë me transparencë dhe vendimmarrje të qarta ndihmojnë në forcimin e besimit publik, pavarësisht rezultatit të tyre.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria vazhdon rrugën drejt integrimit europian dhe partnerët ndërkombëtarë e kanë bërë të qartë se cilësia e reformave, funksionimi i institucioneve dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë faktorë vendimtarë për ritmin e këtij procesi.
Për momentin, mendoj se qytetarët kanë nevojë më shumë se kurrë për fakte, transparencë dhe institucione që flasin përmes rezultateve. Besimi nuk imponohen me ligj dhe as me propagandë; ai fitohet kur shteti arrin të bindë qytetarët se ligji është i barabartë për të gjithë.
Në fund, pyetja mbetet e hapur: A do të arrijnë institucionet shqiptare të ndërtojnë një reputacion që mbështetet te performanca dhe jo vetëm te perceptimi publik?







