Ballina Opinion Protesta e transportuesve në Portin e Durrësit, Klevi Elezi: Reagimi ishte i...

Protesta e transportuesve në Portin e Durrësit, Klevi Elezi: Reagimi ishte i vakët, sektori duhet të flasë me një zë

34
0

Nga Klevi Elezi 

Problematika e shoferëve shqiptarë që operojnë në transportin ndërkombëtar, për shkak të kufizimeve të qëndrimit në zonën Schengen, riktheu sot vëmendjen te një prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Por, përtej shqetësimit të drejtë të protestuesve, mënyra se si u organizua protesta në Portin e Durrësit ngre pikëpyetje mbi unitetin dhe përfaqësimin e sektorit të transportit.

Protesta e zhvilluar sot në Portin e Durrësit nga drejtues të autobusëve, furgonëve dhe kamionëve që kryejnë transport ndërkombëtar ishte një sinjal që institucionet shqiptare nuk duhet ta injorojnë. Prej javësh, një pjesë e shoferëve po përballen me kthime në kufirin italian për shkak të tejkalimit të afatit 90/180 ditë të qëndrimit në zonën Schengen.

Kjo situatë prek drejtpërdrejt aktivitetin e tyre profesional, duke krijuar pasiguri për kompanitë, drejtuesit e mjeteve dhe familjet që sigurojnë të ardhurat përmes këtij profesioni.

Megjithatë, më lejoni të shpreh edhe një vlerësim timin profesional për mënyrën se si u zhvillua kjo protestë.

Si specialist i logjistikës dhe sigurisë detare, protesta e sotme m’u duk e vakët dhe jo plotësisht e arrirë në raport me peshën e problemit që kërkohet të zgjidhet. Një çështje që prek funksionimin e transportit ndërkombëtar shqiptar kërkon një organizim më të gjerë, një përfaqësim më të fortë dhe mbi të gjitha një qëndrim të përbashkët të të gjithë aktorëve të këtij sektori.

Nuk mund të flasim për një kauzë të përbashkët nëse në të përfshihen vetëm disa drejtues mjetesh apo një pjesë e kompanive. Shoqatat e transportit, operatorët e vegjël dhe të mëdhenj, si dhe përfaqësuesit e biznesit duhet të ulen në një tryezë dhe të dalin me një platformë të vetme kërkesash.

Një tjetër aspekt që meriton vëmendje është fakti se kjo vështirësi duket se po rëndon veçanërisht mbi kompanitë e vogla dhe operatorët që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të përballuar pasojat e kufizimeve. Nga ana tjetër, krijohet përshtypja se disa prej kompanive më të mëdha kanë arritur të gjejnë mënyra për ta menaxhuar këtë problematikë.

Nëse kjo situatë është e tillë, atëherë lind një pyetje e natyrshme: përse kompanitë e mëdha nuk janë pjesë e një reagimi të përbashkët?

Nëse problemi është i sektorit, atëherë përgjegjësia për ta adresuar nuk mund të mbetet vetëm mbi operatorët më të vegjël. Nëse kompanitë e mëdha nuk ndihen të prekura apo zgjedhin të mos reagojnë, kjo tregon se sektori mund të jetë i përçarë dhe se interesat individuale po mbizotërojnë mbi interesin e përbashkët.

Transporti nuk mund të funksionojë si një sektor ku secili kërkon zgjidhje vetëm për veten. Një problem që sot prek një operator të vogël, nesër mund të prekë një kompani më të madhe. Prandaj, solidariteti profesional nuk duhet të jetë i kushtëzuar nga madhësia e kompanisë apo nga fuqia e saj ekonomike.

Nga ana tjetër, institucionet shqiptare duhet ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet. Nuk mjafton që një peticion të dorëzohet në ministri dhe më pas gjithçka të mbetet në pritje. Nevojitet një grup i posaçëm pune, ku të përfshihen përfaqësuesit e transportuesve, institucionet shqiptare dhe ekspertë të fushës, për të hartuar një propozim konkret që mund t’u paraqitet autoriteteve italiane dhe institucioneve të Bashkimit Europian.

Duhet kuptuar se transporti ndërkombëtar nuk është thjesht lëvizje kamionësh, autobusësh apo furgonësh. Ai është pjesë e zinxhirit logjistik, e tregtisë, e eksporteve dhe e marrëdhënieve ekonomike të Shqipërisë me partnerët europianë. Një drejtues mjeti që qëndron me ditë në pritje në dogana, në terminale apo gjatë procedurave të ngarkim-shkarkimit, nuk është turist. Ai është në punë dhe aktiviteti i tij profesional kërkon një trajtim që merr parasysh specifikat e këtij profesioni.

Sigurisht, zgjidhja nuk mund të vijë duke anashkaluar rregullat europiane, por përmes diplomacisë, negociatave dhe një propozimi të argumentuar që merr në konsideratë veçoritë e transportit ndërkombëtar.

Mesazhi im për shoqatat dhe kompanitë e transportit është i qartë: bashkohuni përpara se të kërkoni zgjidhje. Një sektor i përçarë ka pak fuqi negociuese, ndërsa një sektor që flet me një zë të vetëm mund të jetë një partner serioz për çdo institucion.

Protesta e sotme duhet të jetë fillimi i një organizimi më të madh dhe jo thjesht një reagim i momentit. Sepse kur rrezikohet puna e një kategorie të tërë profesionistësh, nuk duhet të ketë kompani të vogla dhe kompani të mëdha, por një interes të vetëm: mbrojtja e transportit shqiptar.