Ballina Politika Reforma Zgjedhore, sot vendimi për dërgimin në Venecia të draftit për financimin...

Reforma Zgjedhore, sot vendimi për dërgimin në Venecia të draftit për financimin e partive

35
0

Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të marrë vendim sot për t’i dërguar Komisionit të Venecias draftin e rishikuar për financimin e partive politike, me qëllim marrjen e një opinioni urgjent.

Drafti është ripunuar pas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Në mbledhje do të diskutohet gjithashtu nisja e punës për propozimet ligjore të opozitës dhe rekomandimet e pazbatuara të ODIHR-it. Në fokus do të jenë edhe ndryshimet ligjore që duhen bërë për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Kreu i PD, Sali Berisha i bëri publike të premten propozimet e PD-së për reformën, duke kërkuar që Shqipëria të jetë një zonë e vetme zgjedhore, me sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura.

Demokratët propozojnë gjithashtu lista plotësisht të hapura për këshilltarët bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së, një prag zgjedhor që nuk dëmton partitë e vogla dhe një raund të dytë zgjedhor me balotazh, në prani të një qeverie teknike.

Gjithashtu, PD kundërshton votimin dhe numërimin elektronik, ndërsa kërkon rishikimin e mënyrës së votimit të diasporës.

Një tjetër propozim lidhet me ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje, duke kërkuar gjoba të rënda, largim nga puna, ndëshkime penale dhe deri në heqjen e mandatit për kandidatët që kanë përfituar prej tyre.

Demokratët kërkojnë edhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në rastet kur përdorimi i burimeve shtetërore ka ndikuar në rezultatin e votimit.