Ballina Kulturë Shi gjaku, pesë diej në qiell dhe përbindësha, libri misterioz 470-vjeçar del...

Shi gjaku, pesë diej në qiell dhe përbindësha, libri misterioz 470-vjeçar del në ankand për 1 milion paund

31
0

Një libër misterioz i krijuar gati 500 vite më parë, që përshkruan shi gjaku, shumë diej në qiell, përbindësha dhe katastrofa të frikshme, pritet të shitet në ankand në Londër për një shumë që mund të arrijë në 1 milion paund. Dorëshkrimi i rrallë, i njohur si “Libri i Mrekullive” (The Book of Miracles), përmban 167 ilustrime me ngjyra që tregojnë fenomene natyrore, ngjarje historike dhe vizione apokaliptike, të cilat njerëzit e shekullit XVI i interpretonin si paralajmërime për fundin e botës. Sipas The Guardian, vepra do të dalë në ankand më 10 dhjetor, në shtëpinë Christie’s, me një vlerësim nga 700 mijë deri në 1 milion paund.

Libri u krijua rreth vitit 1552 në Augsburg të Gjermanisë dhe konsiderohet një nga dorëshkrimet më të jashtëzakonshme të mbijetuara nga Rilindja Europiane. Një nga ilustrimet paraqet pesë diej që shkëlqejnë njëkohësisht mbi qytetin gjerman të Leipzigut në vitin 1551, ndërsa një tjetër tregon shi të kuq, të përshkruar si shi gjaku, që bie mbi Romë në vitin 1456. Në një skenë tjetër, qyteti holandez i Dordrechtit goditet nga një stuhi me breshër gjigant, aq e frikshme sa banorët mendonin se kishte ardhur Dita e Gjykimit. Në faqet e tjera shfaqen kometa të zjarrta, përmbytje shkatërruese, tërmete, shpërthime vullkanike dhe krijesa të çuditshme që fluturojnë në qiell.

Ajo që e bën librin veçanërisht interesant është fakti se një pjesë e këtyre ngjarjeve mund të kenë qenë fenomene natyrore reale, të cilat njerëzit e kohës nuk kishin njohuritë shkencore për t’i shpjeguar. Shiu i kuq, për shembull, mund të krijohet kur grimcat e pluhurit nga Sahara përzihen me pikat e ujit në retë e shiut. Pamja e disa diejve në qiell mund të lidhet me fenomene optike atmosferike, të shkaktuara nga përthyerja e dritës në kristalet e akullit. Ndërsa ilustrimet që tregojnë dragonj të zjarrtë në qiellin e Bavarisë mund të jenë përshkrime të dritave veriore. Eugenio Donadoni, specialist i dorëshkrimeve mesjetare dhe të Rilindjes në Christie’s, e ka krahasuar librin me një version të shekullit XVI të ndjekjes së pandërprerë të lajmeve katastrofike në rrjetet sociale.

Historia e vetë librit është po aq misterioze. Për gati pesë shekuj, ekzistenca e tij ishte e panjohur për studiuesit. Dorëshkrimi u zbulua rreth dy dekada më parë në bibliotekën e një kështjelle baroke në jug të Gjermanisë. Në vitin 2008, ai u nxor në ankand së bashku me mobiliet dhe objekte të tjera të kështjellës, duke u shitur për pak më shumë se 100 mijë paund. Më pas kaloi në pronësi të koleksionistit amerikan Mickey Cartin, ndërsa tani rikthehet në treg me një vlerë që mund të jetë dhjetëfishuar. Sipas Christie’s, ky është ekzemplari i vetëm i njohur i dorëshkrimit, ndërsa ekspertët besojnë se vepra është krijuar nga punishtet e artistëve gjermanë Hans Burgkmair i Riu dhe Heinrich Vogtherr i Riu.

Qëllimi i saktë për të cilin u krijua libri mbetet i panjohur. Historianët nuk e dinë nëse ishte menduar për përdorim fetar, për një koleksionist të pasur apo si kronikë vizuale e ngjarjeve të jashtëzakonshme. Përpara ankandit, publiku do të ketë mundësi ta shohë dorëshkrimin në Londër nga data 4 deri më 10 dhjetor. Për ekspertët, vlera e tij nuk qëndron vetëm te rrallësia apo ilustrimet spektakolare, por edhe te fakti se përfaqëson një periudhë kur besimet mesjetare për shenjat e mbinatyrshme nisën gradualisht t’ia linin vendin shpjegimeve shkencore.