Ballina Opinion Anatomia e “PD Sh.p.k.”: Si berishizmi prodhoi “mulizmin” për të negociuar mbijetesën

Anatomia e “PD Sh.p.k.”: Si berishizmi prodhoi “mulizmin” për të negociuar mbijetesën

184
0

Debati politik që pasoi zgjedhjet e korrikut 2026 për sekretariatin e Partisë Demokratike vuan nga një dritëshkurtësi kronike. Shumica e vëzhguesve janë fiksuar pas një termi të ri: “Mulizmi” ky servilizëm mekanik që bindet pa pyetur, kap aparatin dhe përjashton çdo zë kritik.

Por ky fenomen po trajtohet gabimisht si një anomali e izoluar. Siç shkruante Karl Marx te Tetëmbëdhjeta Brymer: “Ngjarjet dhe personazhet e mëdha historike shfaqen dy herë: herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë.” Nëse “mulizmi” është farsa e sotme, berishizmi është tragjedia dhe modeli politik që e prodhoi atë në mënyrë metikuloze përgjatë tre dekadave. Pasojat kurrë nuk mund të luftohen duke amnistuar shkaqet.

Duke hyrë në kodin gjenetik të këtij nënshtrimi, kuptohet se izolimi i kontrollit të aparatit si defekt personal i disa individëve është një komoditet i rremë intelektual. Ky sistem e kërkon dhe e riprodhon servilizmin si kusht ekskluziv mbijetese në piramidën e tij. Nuk është rastësi që deputeti Agron Gjekmarkaj e kishte pagëzuar këtë kulturë si “enverizmi i demokracisë”, duke e bërë vetë Berishën përgjegjës për një model që mbyt lirinë dhe pluralizmin që pretendon se mbron.

Këtë matricë e ka zbërthyer shekuj më parë Étienne de La Boétie në Diskurs mbi Servilizmin Vullnetar, ku shpjegonte se nuk janë armët që e mbrojnë një tiran, por një rrjet piramidal përfituesish që mbajnë njëri-tjetrin për të garantuar mbijetesën institucionale. Në këtë dritë, “mulizmi” nuk është gjë tjetër veçse rrjeti operacional i sotëm që mbron qendrën.

Në këtë diagnozë institucionale kuptohet se demokracia e brendshme është vetëpenguar dhe se rrjeti opozitar tashmë funksionon në një lloj autopiloti. Siç raportonte rrjeti investigativ Reporter.al: “Gara pa rivalë e Berishës për drejtimin e PD-së rrezikon ta fundosë politikisht partinë.” Disfata e vitit 2025 e vërtetoi këtë parashikim, por aparati vazhdon të mbyllet në vetvete.

Në vend të zgjerimit elektoral, partia ka hyrë në një fazë të tkurrjes së vetëdijshme, ku legjitimiteti nuk kërkohet më te votuesi gri apo te shtresat e mesme të shoqërisë, por te kontrolli i rreptë i degëve të partisë nëpër rrethe, grupseksioneve dhe zyrtarëve të brendshëm. Kur fitorja braktiset si projekt kombëtar, e vetmja gjë që mbetet për t’u menaxhuar është prona politike dhe administrimi i heshtjes brenda mureve të shtëpisë.

Kemi të bëjmë me shndërrimin e logos në një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar— një “PD Sh.p.k.” — ku qëllimi nuk është më pushteti, por ruajtja e monopolit opozitar për të negociuar mbijetesën personale në prapaskenë.

“Në një shoqëri aksionere politike, nuk mund të ndryshosh falimentimin e ndërmarrjes duke fajësuar menaxherët e sporteleve, ndërsa Bordi Drejtues vazhdon të mbajë të paprekur të njëjtën strategji humbëse. Nuk ringrihet opozita duke sulmuar rreshtat e zbatuesve, por duke çmontuar monopolin e vendimmarrjes.”

Pikërisht për këtë arsye, kjo luftë ndaj fasadës nuk prek thelbin. Kritikët që sulmojnë “mulizmin” si problem më vete thjesht po trajtojnë simptomën sikur të ishte sëmundja. Të shash administratorët e emëruar për vendimet e korporatës është një naivitet analitik ose një amnistim i vetëdijshëm i pronarit të vërtetë të aksioneve politike.

Sociologu Robert Michels, në Ligjin e Hekurt të Oligarkisë, shpjegonte se strukturat piramidale nuk e lejojnë qarkullimin e lirë të elitave; ato pranojnë elementë të rinj vetëm nëse adoptojnë të njëjtën sjellje nënshtruese. Nuk mund të shërohet trupi i opozitës duke goditur ekzekutuesit, ndërsa lihet i paprekur mekanizmi që kontrollon kandidimet, përjashtimet dhe listat e anëtarësisë, të sekuestruara për interes të lidershipit.

Në përfundim të kësaj analize mbi simptomat morbide të ndërmjetësisë, mendimtari politik Antonio Gramsci shkruante një frazë që e përshkruan me saktësi kirurgjikale këtë ngërç: “Kriza lind pikërisht kur e vjetra po vdes dhe e reja nuk arrin të lindë; në këtë ndërmjetësi shfaqen një sërë simptomash morbide.”

“Mulizmi” është saktësisht kjo simptomë. Modeli i vjetër i berishizmit nuk sjell dot më pushtet, por modeli i ri — i bazuar te konkurrenca e lirë dhe meritokracia — nuk po lejohet të lindë nga frika e humbjes së kontrollit të vulës.

Çdo betejë politike që synon ringritjen e opozitës duke goditur pasojat, por duke kursyer shkakun, është e destinuar të dështojë në mënyrë ciklike. Udha e kryqëzuar e këtij kilometri të fundit nuk zgjidhet duke ndërruar menaxherin e krizës, por duke parë të vërtetën në sy: nëse mbron modelin që prodhon ngurtësimin, ke pranuar automatikisht edhe disfatën. Në të kundërt, partia do të vazhdojë të ecë mbrapsht, duke besuar me kokëfortësi se po marshon përpara./VNA