Ballina Bota 375 kg ar të sekuestruara në Irak, hetohet ish-zëvendësministri i Naftës

375 kg ar të sekuestruara në Irak, hetohet ish-zëvendësministri i Naftës

47
0

Autoritetet irakiane kanë sekuestruar 375 kilogramë ar në kuadër të hetimeve për korrupsion ndaj ish-zëvendësministrit të Naftës për Çështjet e Rafinimit, Adnan Al Jumaili, i cili u arrestua muajin e kaluar nën dyshimet për përfshirje në afera korruptive.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut njoftoi se 358 kilogramë ar u sekuestruan në një operacion të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Rajonit të Kurdistanit dhe nën mbikëqyrjen e kreut të Këshillit Gjyqësor, Faiq Zidan.

Po atë ditë, në një hetim tjetër u konfiskuan edhe 17 kilogramë ar, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në 375 kilogramë, raporton Al Jazeera.

Sipas gjyqtarit Dhia Jafar të Gjykatës Qendrore për Luftimin e Korrupsionit, ari i sekuestruar është dorëzuar në Departamentin e Emetimit dhe Thesarit të Bankës Qendrore të Irakut, ndërsa autoritetet po vazhdojnë përpjekjet për të identifikuar dhe rikuperuar pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme.

Hetimet ndaj Al Jumailit lidhen me dyshimet se ai ka keqpërdorur burimet shtetërore dhe kontratat qeveritare për përfitime personale dhe ryshfet. Sipas zëdhënësit të qeverisë, Haider al-Aboudi, vetëm në këtë rast janë identifikuar pasuri që tejkalojnë rreth 81 milionë euro, si dhe rreth 20 milionë euro të tjera, përveç pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe stolive prej ari.

Ky operacion është pjesë e fushatës kombëtare kundër korrupsionit, e njohur si “Operation Dawn”, e nisur pas ardhjes në detyrë të kryeministrit Ali Faleh al-Zaidi në muajin maj.

Qeveria irakiane ka paralajmëruar se do të vazhdojë ndjekjen e personave të dyshuar për korrupsion, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.