Pesë skuadra ndërkombëtare të arkitekturës prezantuan këtë të martë përpara jurisë ndërkombëtare vizionet e tyre për transformimin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Projektet synojnë të ruajnë identitetin historik të godinës me ndërhyrje të shkallëve të ndryshme, teksa thuajse të gjitha shtojnë elementin e një ndërtimi të ri, kryesisht një kullë shumëkatëshe.
Një “vello” mbi Pallatin e Kongreseve
Skuadra e përbërë nga “ARCHI-TECTONICS”, “Edil AL-IT”, “Edil-AL”, “PNI-2001” dhe inxhinierja Lindita Pelivani propozon vendosjen e Pallatit të Kongreseve nën “një vello” arkitekturore.
Sipas projektuesve, ndërhyrjet do të jenë selektive, duke ruajtur disa prej elementeve ekzistuese të godinës. Projekti parashikon një hyrje të re nga ana e Bulevardit, gjelbërim të zonës përreth, parkim në nivelin -1, si dhe një kullë me funksione hoteliere dhe përdorime të tjera.
“Në Pallatin e Kongreseve do të kemi një amfiteatër dhe një urë ku kalohet nga hapësira e Pallatit të Kongreseve tek hapësira përbri që do të ndërtohet. Kjo vello e sipërme është shumë e lehtë, vetëm 1.5 milimetra, dhe lejon ndriçimin të hyjë brenda”, thanë përfaqësuesit e skuadrës.
Projekti parashikon gjithashtu përdorimin e gurit shqiptar për të ruajtur karakterin lokal të objektit, ndërsa në pjesën e sipërme planifikohet një restorant panoramik me pishinë.


Ndërhyrje minimale dhe një “pyll urban”
Skuadra e dytë, e kryesuar nga “Herzog & de Meuron Basel Ltd”, propozon një qasje konservuese ndaj godinës ekzistuese.
“Ne duam të ndërhyjmë në mënyrë minimaliste tek Pallati i Kongreseve. Kjo ndërtesë, për kohën kur është ndërtuar, ka qenë novatore dhe mbart histori”, u shprehën arkitektët.
Koncepti bazohet në katër ose pesë ndërhyrje kryesore, duke e rrethuar ndërtesën me një hapësirë të gjelbër që funksionon si “dhoma e pritjes” e kompleksit. Projekti përfshin krijimin e një sheshi të ri publik, riorganizimin e qarkullimit të këmbësorëve dhe një atrium që zbret gradualisht në nivelet e poshtme, duke krijuar efektin e një pylli urban.
“Sheshi i ri i gjelbër që do të kalojë shkallë pas shkalle poshtë do të duket si një pyll dhe si një hapësirë që përdoret nga të gjithë”, thanë projektuesit.
Brenda godinës, propozohen përmirësime të akustikës, zëvendësimi i çatisë me një strukturë çeliku dhe krijimi i gjashtë sallave të reja konferencash me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 1,600 personash. Projekti përfshin gjithashtu një kullë multifunksionale me zyra dhe hotel.



Pallati si një “perlë” që hapet ndaj qytetit
Skuadra e tretë, e udhëhequr nga “MVRDV”, propozon transformimin e kompleksit në një qendër të re konferencash, duke ruajtur strukturën ekzistuese.
“Koncepti ynë është ai i një perle që duhet zgjeruar, që duhet hapur në pjesën e poshtme dhe të sipërme”, shpjeguan përfaqësuesit e ekipit.
Sipas tyre, ndërtesa duhet të lidhet më fort me hapësirat publike përreth dhe të ofrojë funksione të shumëllojshme, nga aktivitetet kulturore e konferencat deri te hapësirat panoramike në lartësi deri në 72 metra.
“Ndërtesa mund të përdoret jo vetëm për strehë, por edhe për pamje në lartësi”, thanë ata.


Topografi e re urbane
Skuadra e katërt, e drejtuar nga “Perrault Architecture”, propozon një projekt që synon të forcojë lidhjen e Pallatit të Kongreseve me Bulevardin dhe hapësirat publike përreth.
“Ideja është të mbrohet dhe të vazhdohet kjo strukturë organike me bulevardin”, deklaruan projektuesit.
Propozimi përfshin riorganizimin e gjelbërimit, krijimin e një topografie të re urbane rreth objektit dhe hapësira publike të aksesueshme si brenda ashtu edhe jashtë kompleksit. Një rrugëkalim në nivel më të ulët synon të krijojë lidhje të reja mes Pallatit të Kongreseve dhe pjesëve të tjera të qytetit.
“Këtu është e rëndësishme të bëjmë të shfrytëzueshme edhe hapësirën e jashtme, për shembull për një koncert në mbrëmje”, thanë përfaqësuesit e skuadrës.
Projekti parashikon ndërhyrje minimale në strukturën ekzistuese, modernizim të hapësirave të brendshme, një skenë mekanike të avancuar dhe një kullë metalike të vendosur pas Pallatit të Kongreseve, në dialog arkitekturor me godinën kryesore.


Një “mini Rockefeller Center” në zemër të Tiranës
Skuadra e pestë, e udhëhequr nga “Studio Gang”, propozon një koncept të frymëzuar nga komplekset urbane multifunksionale.
“Do të jenë dy pjesë simetrike të lidhura me ndërtesën dhe duket si një mini Rockefeller Center”, u shprehën arkitektët.
Projekti synon të ruajë monumentalitetin e Pallatit të Kongreseve, ndërsa e bën atë më të aksesueshëm dhe më fleksibël për aktivitete të ndryshme. Parashikohet një rinovim i gjerë që nis nga nivelet e poshtme të ndërtesës, zgjerimi i auditorit, shtimi i hapësirave teknologjike të skenës dhe krijimi i më shumë vendeve të parkimit.
“Kopshti në tarracë nuk përdoret shumë dhe ne i japim akses të plotë publik me ashensor në pjesën e jashtme”, thanë përfaqësuesit e skuadrës.
Projekti përfshin gjithashtu kullat “Çardak” dhe një hotel me të njëjtin koncept, si dhe rrugë të reja për këmbësorët që synojnë të përmirësojnë lëvizshmërinë dhe aksesin në kompleks.



Skuadrat finaliste
ARCHI-TECTONICS” + “Edil AL-IT” sh.p.k + “Edil-AL” + “PNI- 2001” sh.p.k” + “ing. Lindita Pelivani”
“Herzog &de Meuron Basel Ltd” dhe Julian Beqiri + “Marsela Demaj” “Michel Desvigne (MDP)” + “Gentian Shkurti” + “SUEB INDUSTRIES sh.p.k.” + “The Space Factory Ltd” + “KLAR” sh.p.k
“MVRDV B.V” + “AEI Progetti Srl” + “IRI sh.p.k” + “Jason Bruges Studio Ltd ” + “Charcoalblue International Ltd” + “Arup Engineering Trading as Ove Arup & Partners Ireland Ltd”+ “Bami Holding”sh.p.k.
“Perrault Architecture SASU” + “Ark.Pierre Antoine Gatier” + Tharm Architecture + “Altitude 35” + “Ove Arup & Partners Ireland Ltd”+“Huesco Records”+ “Concord Investment sh.p.k.” + “Gruppo Koni sh.p.k” + “Ark.Olsi Plasa” + “Alda Yzeiraj”
“Studio GANG” + “Gener 2” sh.p.k +“AD-STAR shpk” + “Digi Print” + “Besart Papa” + “Rudina Papavasili”/Monitor







