Nga Ilir Dako
Në Shqipërinë e groteskut, ku pushteti ka vendosur të qeverisë me skeçe, hunda e kryeministrit është kthyer në emblemë kombëtare. Jo flamuri, jo shqiponja, jo Kushtetuta – por hunda. Çdo ditë, me një seriozitet që do ta kishin zili edhe aktorët e cirkut, ai del para popullit dhe tund hundën si të ishte një shkop magjik që do të zhdukë varfërinë, korrupsionin, emigracionin. Protestuesit, sipas tij, nuk kanë halle për bukën e gojës, për faturat e energjisë, për pronat e grabitura – jo, ata paskan obsesion me hundën e tij të shtrembër. Një absurditet i tillë nuk mund të përshkruhet ndryshe veçse me sarkazëm të zezë: një vend i tërë i reduktuar në një refren komik, ku kryeministri është klouni i lodhur që reciton të njëjtën batutë derisa publiku të shpërthejë në ulërima.
Edi Rama ka gjetur një algoritëm të ri për të çarë shtetrrethimin e shpallur nga shqiptarët e revoltuar. Algoritmi i ri quhet hunda. Dikur shfrytëzonte fotot lakuriq si një vlerë trendy e një personazhi me tru të troshitur nga trazirat që të sjellin lëndët halucinogjene që i ka përdorur me tepricë gjatë jetës së tij anarkiko-perverse. Prej ditësh algoritmi hundë është kthyer në lajtmotiv të propagandës së tij rrethimçarëse, ku hunda është shndërruar në magji për të ndjellur keqardhje për personazhin humoristik multidimensional që për fat të mirë është edhe kryeministri i Shqipërisë. Hunda e tij është bërë refren i përditshëm në komunikimin e tij humoristik, ku nga dita në ditë po i ngjason Shaban Qoses, i cili ishte bërë personazh proverbial për Tiranën e vjetër. Shaban Qosja rahmet pastë ishte kthyer në personazh komik për Tiranën, ku kompleksi hundë ishte shndërruar fatkeqësi për qytetarët që shkëmbeheshin me të në rrugë, pasi Shaba i shkret i ndiqte nga pas duke i akuzuar se po i shikonin hundën.
Idem kryeministri ynë shakaxhi u bë një muaj që me refrenin e hundës kërkon të akuzojë protestuesit se të gjithë urrejtjen e tyre algoritmike e kanë me hudën e shtrembër të Edi Ramës.
Hunda shtrëmbaluqe e Edi Ramës po përdoret si aktakuzë nga policia për të futur në burg protestuesit për agjitacion e propagandë pasi e kanë si motiv të protestës.
Në fakt është për të ardhur keq për Edvin qose hundshtrëmbrin, pasi protesta nuk e ka me Edvin Hundëderrin por me Pallosh xhepistin që ju ka grabitur paratë, pasuritë, pronat dhe avenirin e shqiptarëve që kanë marrë arratinë nga hunda e Edvin humoristit.
Ky kryeministër kërkon të reduktojë revoltën popullore në një refren komik, duke e zhvendosur vëmendjen nga kërkesat reale të protestuesve tek një tipar fizik. Ky është një mekanizëm i vjetër i pushtetit, të banalizojë kundërshtimin, ta kthejë në tallje, ta ridrejtojë nga thelbi tek periferia.
“Hunda” është një simbol i deformimit të komunikimit politik: një shenjë e vogël, e shndërruar në alibi për të fshehur grabitjen e madhe. Protesta, nuk ka të bëjë me hundën, por me “pallosh xhepistin” që ka zhveshur shqiptarët nga pasuritë e tyre. Kjo lojë groteske e refrenit të hundës është një pasqyrë e mënyrës se si pushteti përpiqet të çajë rrethimin e revoltës qytetare.
Edi Hunda na dhuron çdo ditë nga një skenë teatrale, duke dalë me hundën e tij si rekuizitë, duke e tundur para kamerave si një flamur të rremë, ndërkohë që pas perdeve, thesaret e grabitura derdhen në xhepat e tij dhe të bandës që ai drejton./sot







