Midis shtatorit të vitit 1916 dhe prillit të vitit 1918, piloti gjerman Manfred von Richthofen rrëzoi 80 avionë armiq, duke u bërë piloti më i suksesshëm i Luftës së Parë Botërore. Avioni i tij i kuq flakë, një Fokkertriplane, u bë një nga simbolet më të njohura të luftës ajrore, por njëkohësisht e ktheu atë në një objektiv të dallueshëm.
Manfred von Richthofen lindi në vitin 1892 në Breslau, në një familje fisnike prusiane. Sot qyteti është pjesë e Polonisë dhe njihet si Wrocław. Babai i tij ishte oficer në ushtrinë prusiane, ndaj Manfredi dhe vëllai i tij më i vogël, Lothari, ndoqën të njëjtën rrugë ushtarake.
Von Richthofen nisi shkollën ushtarake në moshën 11-vjeçare dhe në vitin 1912 u bë pjesë e ushtrisë prusiane. Fillimisht shërbeu në kalorësi. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore në vitin 1914, mori pjesë në misione zbulimi në Rusi, Francë dhe Belgjikë. Por lufta në llogore e bëri gjithnjë e më pak të dobishme kalorësinë.
I mërzitur nga detyrat e reja, që përfshinin përdorimin e telefonave në terren dhe punën në sektorin e furnizimeve, ai kërkoi transferim në Shërbimin Ajror të Ushtrisë Perandorake Gjermane. Thuhet se në kërkesën e tij shkroi se nuk ishte futur në ushtri “për të mbledhur djathë dhe vezë”.
Kërkesa iu pranua. Në qershor të vitit 1915 nisi të merrte pjesë në misione zbulimi nga ajri dhe në tetor filloi trajnimin për t’u bërë pilot.
Si u bë “Baroni i Kuq”
Von Richthofen shënoi fitoren e tij të parë të konfirmuar me 17 shtator 1916. Pas rrëzimit të avionit britanik, ai vendosi një gur mbi varrin e pilotit dhe urdhëroi krijimin e një kupe argjendi ku të gdhendej data e fitores dhe lloji i avionit të shkatërruar.
Gjatë muajve që pasuan, ai përsosi vazhdimisht teknikën e tij. Përpiqej ta përdorte diellin në avantazhin e vet, duke e mbajtur atë pas shpinës sa herë që ishte e mundur, në mënyrë që avioni i tij të fshihej nga kundërshtarët. Deri në fund të vitit kishte rrëzuar edhe 15 avionë të tjerë.
Në janar të vitit 1917, atij iu dha Pour le Mérite, i njohur si “Blue Max”, dekorata më e lartë ushtarake e Gjermanisë në atë kohë. Po atë periudhë mori komandën e skuadriljes së avionëve luftarakë Jasta 11. Ishte atëherë kur e leu avionin e tij me të kuqe të ndezur dhe fitoi nofkën “Baroni i Kuq”.
Sipas biografisë Red Baron: The Lifeand Deathof an Ace, nëna e tij e kishte pyetur dikur pse rrezikonte jetën si pilot luftarak. Ai thuhet se ishte përgjigjur se e bënte “për njeriun në llogore” dhe se donte t’ia lehtësonte jetën duke i mbajtur avionët armiq larg.
Muajt që pasuan ishin ndër më të përgjakshmit e karrierës së tij. Vetëm në prill të vitit 1917, ai rrëzoi 22 avionë, përfshirë katër brenda një dite. Më pas u emërua në krye të një krahu më të madh të aviacionit luftarak, Jagdgeschwader 1. Shumë prej pilotëve të tij nisën t’i lyenin avionët me ngjyra të ndezura dhe njësia mori nofkën “Cirku fluturues”.
Plagosja që i ndryshoi jetën
Me 6 korrik të vitit 1917, gjatë një beteje mbi Belgjikë, von Richthofen u plagos rëndë në kokë. Përkohësisht humbi shikimin, por arriti ta ulte avionin në një fushë aty pranë. Pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, ai u kthye në qiell më pak se tri javë më vonë, kundër këshillave të mjekëve.
Pas kthimit filloi të vuante nga dhimbjet e kokës dhe të përzierat gjatë fluturimeve. Edhe sjellja e tij dukej se kishte ndryshuar. Përfundimisht mori leje për t’u rikuperuar nga shtatori deri në tetor të vitit 1917.
Megjithatë, pas rikthimit ai vazhdoi të ishte po aq vdekjeprurës. Midis nëntorit të vitit 1917 dhe prillit të vitit 1918, rrëzoi edhe 19 avionë armiq.
Me 21 prill të vitit 1918, von Richthofen u nis në misionin e tij të fundit. Pranë lumit Som në Francë, ai pa një avion kanadez të pilotuar nga Wilfrid May duke qëlluar ndaj kushëririt të tij, Wolfram von Richthofen. Baroni i Kuq ndërhyri, ndoqi May-n dhe u vu pas tij në qiell.
Studiuesit e mëvonshëm kanë argumentuar se ky përqendrim i tepruar tek objektivi mund të ketë qenë pasojë e dëmtimit në tru që kishte pësuar nga plagosja. Gjatë ndjekjes, ai mori edhe rreziqe të pazakonta për të, duke fluturuar shumë ulët mbi territorin armik.
Vdekja e “Baronit të Kuq”
Gjatë ndjekjes së May-t, von Richthofen u qëllua në gjoks. Fillimisht, Forcat Ajrore Mbretërore britanike ia atribuuan goditjen kapitenit Roy Brown, por historianët sot besojnë se plumbi u qëllua nga një mitraloz australian kundërajror nga toka.
Avioni i tij i kuq Fokker u rrëzua pranë fshatit francez Vaux-sur-Somme. Kur dëshmitarët mbërritën në vendin e rrëzimit, Baroni i Kuq kishte vdekur. Ai ishte vetëm 25 vjeç.
Avioni i famshëm u çmontua pjesë-pjesë nga njerëz që kërkonin suvenire. Trupin e tij e gjeti një skuadron australian, i cili urdhëroi zhvillimin e një funerali të plotë ushtarak. Von Richthofen u varros të nesërmen në Bertangles të Francës. Më vonë, trupi i tij u zhvendos në varrin familjar në Gjermani.
Në fund, Manfredvon Richthofen kishte rrëzuar 80 avionë armi1 midis shtatorit të vitit 1916 dhe prillit të vitit 1918, duke u bërë piloti më i suksesshëm i Luftës së Parë Botërore. Rekordi i tij qëndroi deri në Luftën e Dytë Botërore, kur piloti gjerman Erich Hartmann e tejkaloi me më shumë se 350 fitore ajrore.
Megjithatë, “Baroni i Kuq” mbeti një legjendë e aviacionit ushtarak. Historia e tij frymëzoi libra, filma, këngë dhe madje seri novelash grafike, ndërsa Fokker-i i tij i kuq vazhdon të jetë një nga imazhet më të famshme të Luftës së Parë Botërore.







