Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka deklaruar të hënën se do të propozojë që blloku të heqë sanksionet ndaj presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, pasi ligjvënësit në vendin e Amerikës së Jugut miratuan javën e kaluar një projektligj për amnisti për të burgosurit politikë.
“Do të propozoj që të heqim sanksionet ndaj Delcy Rodriguez si presidente e përkohshme aktuale në detyrë. Nëse do të kemi konsensus, do ta shohim. Nuk e dimë ende këtë”, u tha Kallas gazetarëve.
Të premten, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, i kishte kërkuar BE-së të vazhdonte me këtë veprim.
Parlamenti i Venezuelës miratoi unanimisht të enjten një ligj për amnisti, i cili pritet të lejojë lirimin e të burgosurve që opozita dhe organizatat joqeveritare i përshkruajnë si politikanë, pothuajse dy muaj pasi Presidenti Nicolas Maduro u kap nga forcat amerikane.
Hartimi i ligjit u njoftua nga presidentja në detyrë Delcy Rodriguez, e cila pasoi Nicolas Maduron pasi u kap nga ushtria amerikane në një operacion në Caras në fillim të vitit.
Legjislacioni nuk i mbulon individët që “inkurajuan” veprime të armatosura kundër vendit, një dispozitë që mund të përjashtonte anëtarët e opozitës, përfshirë udhëheqësen e saj dhe laureaten e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, e cila kishte mbështetur sulmin ushtarak amerikan më 3 janar.
Sipas Nenit 9, ata që nxitën, kërkuan, inkurajuan, lehtësuan, financuan ose morën pjesë në veprime të armatosura ose të dhunshme kundër popullit, sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Venezuelës nga shtete, kompani ose individë jashtë vendit janë të përjashtuar. Edhe sistemi gjyqësor në Venezuelë dha “dritën jeshile” për lirimin e 379 të burgosurve politikë.







