Ballina Aktualitet Ministri Vëngu: 18 milionë euro shtesë për urat, rriten fondet për emergjencat...

Ministri Vëngu: 18 milionë euro shtesë për urat, rriten fondet për emergjencat në 47 bashki

72
0

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në konferencë për shtyp këtë të mërkurë, 25 shkurt, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, Kreun e Emergjencave Civile Haki Çako dhe drejtorin e Agjencisë për Industrinë e Mbrojtjes, Dorian Tola.

“Katër javët e fundit kanë qenë tejet dinamike me aktivitetet tona, duke nisur nga bashkëpunimi ushtarak me aleatët, angazhimi në përballimin e emergjencave civile, jo vetëm të pasojave, por edhe përgatitja për sezonin veror.

Më tej u ndal te Ministieriali i NATO-s, me dy lajme të mira për vendin.

“Korridori i Tetë si pjesë e infrastrukturës kritike të aleancës dhe një vendimmarrje që e lidh Shqipërinë drejtpërdrejt me orientimin e investimeve qoftë të NATO-s, ashtu edhe BE-së. Mobiliteti ushtarak, temë shumë e rëndësishme e aleancës që nga nisja e luftës në Ukrainë, ndërlidhja infrastrukturore po ashtu. Ta mirëmbajmë këtë korridor dhe ta mbështesim me të gjitha kapacitetet ushtarake përreth aksit të tij”, tha Vengu.

Njoftoi se do të rritet angazhimi i Shqipërisë te KFOR-i.

“Është kërkuar herë pas here që të rrisim kapacitetet dhe do ta bëjmë shumë shpejt. Në këtë 6-mujor të parë do të shtojmë edhe komponentin ajror në KFOR”, tha Vengu.

“Siç e dini është ai vendi ku shpesh herë qoftë fuqitë e mëdha apo të mesme, testojnë legjitimitetin e veprimeve që do të ndërmarrin në muajt në vijim dhe në këtë realitet të ri gjeopolitik është theksuar edhe më shumë roli i vendeve si Shqipëria, si faktor stabiliteti rajonal”, tha ministri referuar Konferencës së Mynihu-t.

“Kryeministri shtroi çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët, interesat në rajon dhe revoltën për gjyqin që po zhvillohet në Hagë”, tha sa i takon pjesëmarrjes aktive të Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Reshjet

“Vijon misioni në Klos apo basenin e Osumit, ku kemi një angazhim maksimal. Forcat xheniere kanë qenë të angazhuara në të gjithë territorin, për të hapur aksese të bllokuara nga rrëshqitjet në zonat rurale, për të rehabilituar struktura kritike, ura apo prita dhe në këtë mënyrë u jemi gjendur banorëve në zonat e prekura. Pavarësisht numrit të lartë të rrëshqitjeve që ka pasur në gjithë vendin, dhe dy misione kërkim-shpëtimi, apo efektit amplifikues që kanë mediat sociale për këto fenomene, fatmirësisht nuk kemi fatalitete”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Për dëmet në bujqësi dhe blegtori, shtoi se do të jetë gati një paketë kompensimi.

Ndërsa sa i takon fondit të kushtëzuar për mbrojtjen civile, theksoi se është konkluduar si process më herët se vitet e shkuara.

“Kemi një rritje të konsiderueshmë për 47 bashki, një shumëfishim për shumë bashki të cilat ndër vite nuk kanë pasur instrument financiar. Të rrisin flotat e emergjencave, të kompensojnë dëmet, jo domosdoshmërisht duke pritur një akt normativ nga qeveria”, njoftoi më tej.

Ka po ashtu një rritje të fondit të investimeve për infrastrukturën parandaluese, me 18 milion euro.

“Janë të dedikuara për projekte që janë në zbatim e sipër, diga, prita lumore, ura, riparime, rehabilitime. Nga ana tjetër, 10 milion euro financim shtesë për projekte të reja në dispozicon të bashkive, këtë javë finalizohet procesi i alokimit”, nënvizoi Vengu.

Nuk anashkaloi atë që po ndodh në aksin Librazhd-Prrenjas.

“Do të mbështesim pritat lumore përgjatë Shkumbinit, që të parandalojmë rrëshqitjet apo gërryerjet lumore në të ardhmen”, tha ai.

Rekrutimet në tre faza

“Kemi proces rekrutimi shumë dinamik. Është përmbyllur faza e parë me 252 fitues, që kanë filluar sot stërvitjen. Shpërndarje në të gjithë vendin, nëse konsiderojmë 14-mujorin e fundit, janë shtuar Forcat e Armatosura, me 1 mijë personel aktiv. Kemi në plan të vijojmë në mars e prill me fazën tjetër me 200 kuota të tjera. Projeksioni pastaj me 400 kuota në gjysmën e dytë të vitit.”

Largimet, tha Vengu, janë ulur me 70% në krahasim me vitet e shkuara.