Shkencëtarët italianë bëjnë me dije se delfini i vetmuar hundëshishe, i njohur si “Mimo”, është përshtatur mirë me jetën në lagunën e Venecia, por theksojnë se nevojiten kontrolle më të rrepta mbi trafikun e anijeve dhe sjelljen njerëzore për të garantuar sigurinë e tij. Delfini i përket species Delfini hundëshishe, një nga më të përhapurat në ujërat italiane. Edhe pse zakonisht lëvizin në grupe, vitet e fundit janë regjistruar disa raste të individëve të vetmuar në Adriatik që braktisin tufën dhe afrohen në zona bregdetare apo urbane.
“Mimo” u pa për herë të parë më 23 qershor 2025 nga një shofer taksie uji, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e banorëve dhe turistëve me kërcimet e tij akrobatike. Që prej asaj dite, ai është shfaqur disa herë në lagunë, duke nxitur edhe një fushatë sensibilizuese “Shpëtoni Mimon”, mes frikës se mund të goditet nga helikat e anijeve në zonën e ngarkuar me trafik detar. Një ekip kërkimor nga Universiteti i Padovës ka monitoruar lëvizjet e tij për disa muaj dhe ka publikuar një studim në revistën Frontiers in Ethology. Autori kryesor, Guido Pietroluongo, patolog veterinar në Departamentin e Biomjekësisë Krahasuese dhe Shkencës Ushqimore, tha se rasti përfaqëson “një nga kafshët më karizmatike në një nga qytetet më emblematike”.
Sipas studiuesve, vëzhgimet dokumentojnë “përshtatjen e jashtëzakonshme të kafshës në një kontekst të pazakontë”, ndërsa Mimo është parë rregullisht duke u ushqyer me qefull dhe duke lëvizur nga skaji jugor në atë verior të lagunës, ku vazhdon të qëndrojë. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se rreziku më i madh nuk vjen nga prania e tij në një mjedis urban, por nga sjellja e njerëzve. Drejtimi i papërgjegjshëm i anijeve dhe mosrespektimi i distancës së sigurisë përbëjnë kërcënimin kryesor për mirëqenien e delfinit.
Studiuesi Giovanni Bearzi, me katër dekada eksperiencë në studimin e delfinëve të Adriatikut, theksoi se prania e tyre pranë aktiviteteve njerëzore nuk është e pazakontë historikisht. “Ajo që është vërtet e pazakontë nuk është prania e delfinit, por vështirësia e vazhdueshme e njerëzve për të respektuar kafshë të tilla,” u shpreh ai.
Shkencëtarët bëjnë thirrje për masa konkrete për kufizimin e shpejtësisë së anijeve dhe për rritjen e ndërgjegjësimit publik, në mënyrë që “Mimo” të vazhdojë të jetojë i sigurt në ujërat e lagunës veneciane.







