Ballina Opinion Katapultime në nivele të larta: 24 vjeç zëvendës Drejtor i Përgjithshëm, 26...

Katapultime në nivele të larta: 24 vjeç zëvendës Drejtor i Përgjithshëm, 26 vjeçe ambasadore

247
0

Nga Klevis Elezi

24 vjeç – Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm.
26 vjeç – Ambasadore.

Në moshën 24-vjeçare shumica e të rinjve përpiqen të kuptojnë si ndërtohet një karrierë. Disa të tjerë, mesa duket, kanë arritur të kuptojnë si ndërtohet një shtet. Dhe në këtë pikë lind një dyshim legjitim: ndoshta problemi nuk janë emërimet… por ne që kemi besuar tek studimi, përvoja dhe meritokracia.

Në teori, shtetet ndërtohen mbi tri shtylla të qarta: meritë, përvojë dhe përgjegjësi.
Në praktikën tonë, shpesh ndërtohen mbi telefonata, besnikëri dhe eksperimente me institucione publike që duhet të jenë serioze.

Në një vend normal do të kishim një profesionist me mbi dy dekada eksperiencë që mban mbi supe peshën e portit më të madh të vendit dhe një diplomate karriere që ka kaluar vite të tëra në shërbimin e jashtëm përpara se të përfaqësojë flamurin kombëtar. Kjo nuk është çështje moshe biologjike por është çështje pjekurie profesionale, përgjegjësie dhe rruge të përshkuar.

Por realiteti ynë shpesh funksionon ndryshe: CV-ja nuk ndërtohet përpara postit; posti ndërton CV-në.

Kjo filozofi prodhon një mesazh të rrezikshëm për shoqërinë: mos u lodh duke u bërë profesionist, mjafton të jesh “zgjedhja e duhur”. Dhe pastaj habitemi pse të rinjtë largohen nga vendi. Nuk ikin sepse mungojnë mundësitë por ikin sepse mungon drejtësia. Nuk mungon talenti por mungon pesha e meritës. Nuk mungon shpresa por mungon logjika.

Ironia më e madhe është se këto vendime shpesh paketohen si “fuqizim i rinisë”. Por fuqizimi i rinisë nuk bëhet duke shpërndarë poste si dhurata politike. Fuqizimi bëhet duke krijuar garë të ndershme, institucione të forta dhe standarde që vlejnë për të gjithë.

Të vjetrit thonë: shkallë-shkallë ngjitet njeriu. Kur ngjitesh me ashensor politik, rreziku është që rënia të jetë shumë më e shpejtë se ngjitja.

Në fund mbetet edhe një reflektim personal: po ta dija që rruga e suksesit institucional nuk kalon domosdoshmërisht nga studimi, sakrifica dhe përvoja, ndoshta do të kisha kursyer vite përpjekje. Sepse në realitetin tonë, ndonjëherë diploma më e vlefshme nuk është ajo e universitetit… por ajo e lidhjeve.

Dhe pastaj pyesim pse nuk na merr seriozisht askush.

Tunjatjeta o lum miku… tunjatjeta.