Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me atë që ai e quan “perëndimi i ‘Diellës’” dhe dështimet në infrastrukturën rrugore në vend.
Në reagimin e tij, Meta ironizon krijimin e “Diellës”, të prezantuar si ministre virtuale kundër korrupsionit. Sipas tij, emërimi i saj përbënte shkelje të Kushtetutës, ndërsa shton se kjo u justifikua me “qëllime madhore”, në një kohë kur, sipas tij, cenimi i Kushtetutës është kthyer në normë.
Meta pretendon se projekti u promovua si një sukses që do të ndryshonte imazhin e Shqipërisë në botë, pavarësisht raporteve ndërkombëtare që e rendisin vendin në nivele të larta të perceptimit të korrupsionit. Ai shton se “Diella” pushtoi ballinat e mediave ndërkombëtare, herë me habi e herë me ironi.
Në vijim të reagimit, Meta e lidh çështjen me situatën e infrastrukturës në vend. Ai shprehet se, ndërkohë që promovoheshin arritje “digjitale”, disa akse rrugore në juglindje janë dëmtuar, duke përmendur edhe ngushtimin e projektit të Korridori VIII deri në rrethrrotullimin e Elbasanit.
Meta përmend gjithashtu dëmtime në rrugën e Lumit të Vlorës dhe incidente në segmente të tjera, ndërsa ironizon edhe projektin për pistën e “Formula Uno” në Elbasan, duke e cilësuar si investim të panevojshëm përballë problemeve ekonomike të qytetarëve.
Ai rikujton një paralajmërim të bërë prej tij në Shkodër, më 10 shkurt 2024, për rrezikun e shembjes së rrugës Korçë–Ersekë. Sipas Metës, pak ditë më pas një segment prej mbi 200 metrash u shemb, duke e cilësuar situatën si “një skenë gjigande krimi”.







